OPINION NGA PËRPARIM KABO/ Përse futbolli mbërriti në këtë pikë?

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga bota e sportit

Postuar: Shtator 22, 2020 | 21:45


OPINION NGA PËRPARIM KABO/ Përse futbolli mbërriti në këtë pikë?

Është krijuar një Ligë e futbollit shqiptar, e cila ka nisur një kërkesë me 4 pika drejtuar qeverisë dhe në mënyrë ultimative thotë “po nuk i plotësove ne bojkotojmë kampionatin”. Pikat kërkojnë në thelb lehtësime fiskale, çfarë nënkupton se ata që drejtojnë këto ekipe të Superligës nuk janë mirë monetarisht. Pse mbërritëm këtu? Më saktë a do të mbërrinim këtu? Sigurisht po. Prej vitesh ku me zë të ulët e ku me zë të lartë është thënë se financimi i ekipeve është i dyshimtë. Madje dikush, apo disa guxuan të thonin se ka financim me para informale të evazionit fiskal e deri te ato kriminale. Federata e futbollit…heshti mbylli sytë, veshët dhe gojën. Pranoi gjendjen dhe u bë bashkëpunëtore me të direkt ose indirekt.
papi-e1503343861473
Federata, bazuar te parimi i drejtë i olimpizmit sportiv, deklaroi neutralitetin politik të sportit dhe hapur ka ngritur zërin “jashtë duart politika nga futbolli”. Disa ministra kulture dhe të sportit kanë tentuar të kontrollojnë si punohet, si sillen me fondet, si ndërtohen pagesat dhe detyrimet ligjore, por Federata ka mbyllur derën. Lexoni librin e gazetarit Fatmir Mëneri…atje do gjeni shumë fakte. Por kjo gjendje nuk mund të vijonte pa fund. Rruga e zhvillimit të futbollit u kërkua të ishte privatizimi i klubeve, financimi nga privatët. U nis kjo udhë, por jo kudo shkoi mbarazi. Diku u bë, diku jo, ose u realizua përgjysmë. Bashkitë mbetën donatorët kryesorë të financimit. Pra futbolli hyri në treg me blerje dhe shitje, me investime dhe pagesa tregu. Lindi ashtu disi e përçudnuar ekonomia e tregut të futbollit. Ai që investon merr përsipër edhe fitimin, edhe riskun. Futbollistët, trajnerët dhe stafet paguhen sipas mundësive financiare dhe kontributit e vlerës me disa mijëra euro në muaj. Ky është një shpenzim i madh që kërkon burime të vazhdueshme monetare, që zor se vijnë nga vetë futbolli. Kudo në botë ata që financojnë futbollin kanë biznese të tjera. Të gjithë paguajnë taksat dhe detyrimet fiskale, madje evazioni shpuri në burg presidentin e Bajernit të Mynihut.

Tani çështja shtrohet: ose sport profesionist dhe pjesë e ekonomisë së tregut me të gjitha detyrimet fiskale, ose sport amator që financohet nga shteti. Ligji për sponsorizimin në sport u aprovua, por nuk ka gjetur zbatim. Mund të ketë edhe defekte, por një gjë është kryesore. Tregu ynë është shumë i vogël që sponsorizimi të ketë interes të rrisë pubicitetin e vet falë futbollit. Bizneset e fuqishme, si bankat, minierat, hidrokarburet, sigurimet, i kanë të sigurta të ardhurat, pse të hedhin para për futbollin apo sportin?! Ah, nëse shteti u thotë “nuk ta jap këtë koncension nëse për 30 apo 50 vjet nuk investon kaq % në shkencë, kulturë dhe sport”, atherë po. Kjo nuk ndodh. Ku jemi? Formalizimi fiskal i bizneseve nuk lë më vend për punë të zeza. Kështu, gjendja u shtrëngua dhe paratë mungojnë. Duhen ulur pagat dhe shpenzimet. FEDERATA duhet të paraqesë planin e saj…psh pse nuk shpall që në stadium “Air Albania” tarifat shkojne psh 10% të vlerës? Nuk po them 0…

Pra ulja e shpenzimeve është në favor të klubeve. Futbollistët makinat i duan luksoze, telefonat, rrobat, shtëpitë dhe pushimet, po detyrimet tatimore të mos i paguajnë…! Madje dëgjova se ne shkuam në Europian dhe dhuruam emocion. Po, ekipi na bëri krenar, por mbi 90% e tyre as që luajnë në kampionatin kombëtar ku ka nisur bojkoti. Po ashtu, në Europian shkuan shumë ekipe që u kualifikuan, por lojtarët e tyre paguajnë detyrimet fiskale. Në raste fitoresh apo kapje objektivash ka bonuse monetare, të cilët nuk kanë munguar edhe te ne. Futbolli është një e mirë publike, por të ardhurat janë private për ata që investojnë dhe punësohen atje. Ata mbajnë edhe fitimin, por edhe humbjen. Ja përse analiza duhet e thellë shumëdimensionale, sepse në zyrat e sportit ka zënë vend myku, inkompetenca dhe korrupsioni. Federata e futbollit zyrat i ka të reja dhe luksoze, por mendësinë e ka të vjetër, të pazonjën dhe të tejkaluar. Ndryshimi duhet të nisi atje…




Për t’u bërë pjesë e grupit të "Panorama Sport" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet.
KOMUNITETI PANORAMA SPORT: https://www.facebook.com/groups/sportionline/

www.minuta90.com