Sulmi më i mirë është kur di se si të mbrohesh

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Tetor 29, 2020 | 19:53

Sulmi më i mirë është kur di se si të mbrohesh

Nga NEPTUN BAJKO

neptun bajko

Këtë sentencë dua ta lidh me skemën taktike 3-5-2, që trajneri Reja me një këmbëngulje e bindje profesionale ka vendosur ta çojë përpara. Skema ka rëndësinë e saj dhe bëhet një mjet i veçantë për të arritur te suksesi. Por kjo nuk mjafton në futbollin e sotëm. Për mendimin tim, tre aspekte kanë shumë rëndësi: Së pari, gjetja e lojtarëve me cilësitë e duhura jo vetëm individuale, por të përshtatura edhe me cilësitë e lojtarëve që përbëjnë formacionin. Së dyti, janë detyrat që përcaktojnë rolin, funksionin e tij në lojën komplekse të ekipit. Gjatë lojës, në dinamikën e saj, ndërthuren disa elementë që e pasurojnë apo e dobësojnë vet skemën taktike.

Pra, loja kalon në disa faza si: lojë me qarkullim e mbajtje të topit; lojë e shpejtë e kalim në kundërsulm, lojë në bllok, ku të gjitha repartet ruajnë një distancë të afërt, ku ndërrimet e vendeve bëhen në funksion të topit, shokut e kundërshtarit, lojë presingu që forcon lojën kolektive dhe vë në vështirësi kundërshtarin, etj., etj,. Kjo skemë kërkon 3 lojtarë mbrojtës me cilësi të mira atletike: shikim periferik, të njohin mjaft mirë lojën 1-1; me strukturë të mirë fizike e nivel të mirë teknik, njohjen e lojës së ajrit etj. Çelësi i një skeme të tillë është mesi i fushës dhe sulmi. Së treti, vënia e theksit te ndërrimi i mentalitetit apo më mirë të themi ndryshimi i mentalitetit. Detyrë e trajnerit, por jo vetëm e tij. Reja po mundohet të vërë në jetë një ide të tijën e pasuruar kjo edhe me përvojën shumëvjeçare si trajner me mençuri e aftësi profesionale, duke krijuar një klimë sa më të shëndetshme për një të ardhme të sigurt e premtuese të ekipit Kombëtar! Kjo do të thotë të pranojë të gjitha rreziqet që vijnë nga vendimet e tij. Të përballesh me rreziqet është një mënyrë shumë e mirë për të njohur dhe forcuar një besim të domosdoshëm për vete dhe ekipin që drejton. Në qoftë se lëkundet besimi, nuk mbetet gjë tjetër veçse dyshimi. Ardhja në ekip e lojtarëve të talentuar me formim profesional në klube të njohura evropiane, lojtarë të një Shqipërie tjetër, të një gjenerate të rritur në kushte shumë të mira ekonomiko-shoqërore e profesionale, prej të cilëve pritet diçka, që padyshim ka të bëjë me ndryshimin!

Kombetarja ne Lituani

Është vërtetë një fat i madh që ekipi ka në përbërje të tij një grup lojtarësh me shumë përvojë si Berisha, Hysaj, Veseli, Gjimshiti, Dermaku, Lenjani, Gjasula, Bare, Abrashi, Cikalleshi, Sadiku, Roshi, Balaj, Mihaj, Ramadani etj., dhe po ashtu një prurje tepër cilësore me lojtarë të rinj si Trashi, Doka, Kumbulla, Laçi, Kallaku, Çekiçi, Vrioni, Seferi e priten edhe të tjerë. Po me kaq fat është dhe trajneri Reja, prej të cilit kërkohet ta “kollandrisë” mirë. Reja për mendimin tim është me fat, jo si trajner por sepse punon si i tillë në një ekip Kombëtar si Shqipëria që: ose do t’i japë kënaqësinë e arritjeve në një ekip kombëtar ose do të shoqërohet me shumë ankthe, stres të pamasë, lodhje dhe mosarritje të objektivave. Dhe ai e di mirë një aspekt të tillë të punës së një trajneri.

Për faktin se është e pavlerë të thuash pas çdo ndeshje, siç kemi dëgjuar nga disa lojtarë dhe vetë Reja, që ekipi pasqyroi dhe shprehu një lojë të mirë, që rastet nuk u shfrytëzuan, lojtarët dhanë më të mirën, por niveli i lojës (në këtë aspekt ka shumë për të bërë akoma), rezultatet nuk e pasqyrojnë një gjë të tillë. Ende nuk është i qartë projekti i formimit të një ekipi me ide dhe lojë të qartë! Një aspekt tjetër që dua të prek është: ndërthurja midis së tashmes dhe të ardhmes! Është një gjë tepër e rëndësishme që përjashton faktin dhe frikën jo për një ecuri premtuese të ekipit. Ajo që ka rëndësi të kuptohet është besimi dhe jo hija e dyshimit dhe për këtë i pari është trajneri që me punën e tij të na krijojë bindjen se e ardhmja do jetë shpresëdhënëse dhe e sigurt. Do jetë një e mirë për gjithë futbollin tonë e në veçanti për Kombëtaren. Kjo Kombëtare duhet të krijojë një urë lidhëse midis së tashmes dhe të ardhmes. Sa më e fortë të jetë kjo urë, sa më e ekuilibruar në përbërje, në lojë e rezultate, aq më e garantuar do të jetë edhe rritja në të gjitha aspektet. A mund të themi tashmë me bindje se disa lojtarë janë duke u “shëruar” apo më drejt, ende janë në një fazë “krize”?! Mendimi im është jo! Sepse bëhet fjalë për Roshin, Sadikun, Lenjanin, Cikalleshin, Balajn, Memushajn, Ramadanin etj.

Kombetarja

Funksionimi i ekipit ka ligjet e veta dhe mund të vijë momenti që të krijohen “dublime” apo të krijohen situata që ka lojtarë që nuk mund të futen në formacion për motive të ndryshme apo që për momentin nuk janë në formën e tyre më të mirë. Le pastaj kur mund të jesh i detyruar t’i thuash X-it apo Y-it të fillojë një jetë të re?! Të gjitha mund të ndodhin deri në vitin 2024!! Po ashtu ekziston edhe rreziku që ndryshimet e shpeshta, qoftë në sistemin e lojës, qoftë në aktivizimin e lojtarëve të rinj, ku numri i tyre do vijë në rritje, pjesë e rinovimit të ekipit, mund të çojë te pasoja që ekipi të kërkojë më tepër kohë në një ekuilibër frutdhënës në lojë e rezultate. Është e qartë që në ekip ende nuk ka një lider. Hysaj është kapiten, por i mungon nervi dhe përgjegjësia e liderit, pra ekipi gjatë lojës ka nevojë për reagimet e ndërhyrjet nga stoli, nga Reja në veçanti. Deri tani është e vakët, por jo se nuk e njeh këtë prioritet, por sepse ai duhet të ndërhyjë në çdo sekondë, gjë që është e pamundur tani për tani. Në katër ndeshjet e luajtura, ekipi ka pasqyruar nivele të ndryshme të lojës e rezultateve.

Kjo ka bërë që ende të mos kemi një pamje të qartë të vlerave pozitive apo negative. Ajo që ka rënë më tepër në sy dhe pranuar edhe nga vetë Reja, është loja jo e qartë e sulmuesve dhe e sulmit. Ka disa arsye, por dua të ndalem vetëm te njëra: Janë aktivizuar në sulm më tepër se në çdo repart tjetër shumë lojtarë me cilësi të veçanta, por asnjëherë bashkëveprues me ide, si Cikalleshi, Manaj, Sadiku, Balaj, Roshi, Uzuni, Broja, Vrioni, Seferi, Muçi, pra lojtarë me cilësi të mira, me përvojë, po ashtu edhe të rinj me talent e perspektivë, por bëhet e vështirë jo vetëm aktivizimi, por edhe bashkëpunimi e njohja reciproke, të domosdoshme për rritjen e efikasitetit në lojë. Reja e njeh mirë këtë aspekt prandaj është treguar shpeshherë drejtpërdrejtë i sinqertë, dhe në momente të caktuara i pakënaqur me lojën dhe veten e tij. Deri tani ka qenë i mbrojtur nga publiku futbolldashës, nga presidenti i FSHF-së dhe nga masmedia, por… duhen fitoret me Bjellorusinë e Kazakistanin që të punojë me qetësi. Fitore që ia kanë premtuar publikut!

PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"