Shqipëria pa mushkëri, Panuçi ka prishur ekuilibrat

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Mars 27, 2018 | 23:38

Shqipëria pa mushkëri, Panuçi ka prishur ekuilibrat

NEPTUN BAJKO

Neptun Bajko

Norvegjia kishte studiuar më së miri mënyrën e lojës tonë dhe përbërjen e ekipit tonë kombëtar. Ne, duke menduar se kemi bërë disa ndryshime të mjaftueshme dhe duke iu referuar së kaluarës, besonim se kjo gjë do të ndihmonte të merrnim një rezultat pozitiv në një ndeshje miqësore. Kjo nuk ndodhi dhe, për mendimin tim, është pasojë e mangësive profesionale. E them këtë sepse ka kohë që ndeshjet miqësore nuk konsiderohen më të tilla. Përkundrazi, ato kanë marrë një rëndësi të veçantë për ekipet përfaqësuese të çdolloj rangu që të jenë ato.

Shqiperia

PROBLEMET NË MESFUSHË

Një ekip kombëtar funksionon mirë kur ka të ndërtuar mushkërinë e saj që është mesfusha. Reparti i mesit të fushës prej vitesh nuk ishte kaq e dobët te Shqipëria. Jo vetëm për faj të lojtarëve, por edhe për faj të vendosjes. Nëse luajmë me tre mesfushorë, ku dy nga këta janë të rinj dhe nuk kanë as eksperiencë dhe as njohje me pjesën tjetër të ekipit, atëherë natyrshëm do të kesh probleme. Nuk mund të bazohesh vetëm te një Xhaka, që u sforcua pa masë, por nuk ishte në gjendje të nxirrte ekipin para. Fundja, ai nuk është as organizator dhe as fantazist. Nuk pati as mbështetjen e duhur…

SULMI, JASHTË FUNKSIONIT

Një mesfushë e tillë nxori jashtë funksionit edhe tre sulmuesit. Sadiku mund të ketë marrë tre topa të vështirë afër zonës kundërshtare dhe ka larguar nga zona jonë 6-7 topa. Kaq mjafton për të thënë se kështu nuk shkon. Nëse e nisim fillimisht me tre mesfushorë dhe pastaj kur nuk kemi topin në zotërim kthehemi me 5 lojtarë në mesfushë, kush i markon kundërshtarët kur ata zbresin me shumë forca?! Presingu i norvegjezëve, që e përsëris, na kishin studiuar mirë, dha efektet e duhura. Ata na mundën në mesfushë dhe vunë në presing të vazhdueshëm mbrojtjen bashkë me portierin tonë. Kjo solli mosmarrëveshje mes dy qendrave Ajeti-Mavraj, të cilët asnjëherë nuk ditën si të vepronin si trup i vetëm kur ishin nën presion. Presingu i çoi ata në gabime të shpeshta.

kombetarja shqiperia

TERRENI SI DISAVANTAZH…

Çuditërisht, kombëtarja jonë nuk u përshtat dot as me terrenin. Kjo ka rëndësi për një ekip që do të luajë shpejt dhe në sulm siç pretendon Panuçi. Por ndodhi e kundërta, këtë e element e shfrytë- zuan norvegjezët. Ata përdorën mjetin më të mirë dhe më efikas në terren të tillë: ndërhyrjet me rrëshqitje. Ia dolën shumë më mirë se ne dhe fituan më shumë dyluftime.

Kjo u dha mundësi të luanin me mendim të kthjellët dhe rrjedhimisht patën edhe avantazhin e befasisë në lëvizjet në sulm. Qartazi, kjo është vepër e një trajneri ekspert që nuk neglizhon asnjë detaj. Lagerbaku është një dhelpër e vjetër dhe nuk kishte sesi të anashkalonte një detaj kaq të thjeshtë, por kaq jetik: rrëmbeje topin sa më pranë portës së kundërshtarit dhe jo vetëm që e mban atë larg portës tënde, por shanset për gol i ke më të mëdha…!

GREZDA NUK MJAFTON

Ato që më ranë në sy dhe që vazhduan për gati 90 minuta ishin vetëm veprimet individuale të Grezdës, por ato mbetën vetëm lojë individuale që kënaqën vetëm Grezdën. Të tjerët nuk iu përgjigjën as në nivel teknik dhe as në shpejtësi. Nëse shihni me vëmendje, vendosja e tre sulmuesve jepte përshtypjen se ekipi ynë nuk do të kishte nevojë të kthente kokën mbrapa, por do të luante në sulm dhe vetëm në sulm. Kjo nuk funksionoi fare as si ide dhe as si koncept i ekipit.

Sepse nuk mund të luash me tre sulmues kur nuk ke mesfushorë qendre të aftë që të vertikalizojnë për sulmuesit apo mesfushorë krahu të shpejtë dhe të aftë në krosime. Shqipëria nuk i kishte këto dy cilësi që të mund të bënte atë çka kishte planifikuar Panuçi në fillim. Kjo më çoi në lodhje dhe mbingarkesë të repartit të mbrojtjes që, gjithsesi, duhet thënë se ishte më e konsoliduar se repartet e tjera. E them këtë sepse me gjithë presingun e madh që iu bë, ata sërish evituan një humbje shumë më të thellë. Kjo erdhi vetëm falë mbrojtjes dhe portierit, jo për meritë të dikujt tjetër…

KUJDES ME PUBLIKUN

Këto janë ndeshje për t’u korrigjuar dhe për t’u vetëkorrigjuar. Ne si trajnerë e dimë këtë. Por duhet ta dinë edhe ata që nuk e njohin mentalitetin e Shqipërisë. Kjo duhet të jetë tepër e rëndësishme për trajnerin tonë. Publiku shqiptar, kudo ku ai ndodhet, ka sy dhe ka veshë, por mbi të gjitha dhe ka shumë për zemër ekipin kombëtar. Edhe një ndeshje miqësore të këtij niveli, publiku ynë e ndjek me vëmendje. Pas kësaj, publiku është shumë i pakënaqur. Jo për humbjen, por për mënyrën se si luajtëm dhe për lojën e dobët. Por duhet kujdes në këtë pikë. Frymëzimet apo zhgënjimet e mëdha para një cikli e kanë pikënisjen edhe nga ndeshje si këto….

KËSHILLË PËR TRAJNERIN

Panuçi duhet t’i mbrojë idetë e tij. Ka liri absolute në vendimet që merr. Ka kohën në dispozicion që të aplikojë pa ekuivoke të gjitha skemat e tij. Por kjo liri nuk duhet të ngatërrohet me përgjegjësinë që ka ai dhe stafi. Ata vetë kanë pohuar se kemi një ekip mjaft të mirë në rritje dhe që mund të përballojë me sukses çdo kundërshtar. Inteligjencë e vërtetë është edhe sa shpejt kupton mangësitë apo se sa i aftë je për të parashikuar lojën dhe, në veçanti, aftësitë e lojtarëve. Posti i trajnerit të Kombëtares kërkon kujdesje dhe durim për të studiuar çdolloj problemi.

Duke u nisur nga kjo, mendimi im si ish-trajner i ekipit kombëtar është ky: përfaqësuesja jonë, nga kjo ndeshje, jo vetëm tregoi se ka probleme të mëdha, por mendoj se këto probleme do të vijnë duke u shtuar nëse vazhdohet me këtë mentalitet. Qofsha i gabuar, por prishja e ekuilibrave në një ekip kombëtar me mendimin se jemi duke u rritur dhe ky është ekipi më i mirë që po ndërtohet, është thellësisht e gabuar që nuk bazohet në një pjekuri dhe përvojë profesionale.

Shënim: Artikull ekskluzivisht për “Panorama Sport”. Ndalohet riprodhimi i pjesshëm apo i plotë pa lejen e gazetës.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"