Shqipëria ka problemin e vjetër me yjet dhe është pa plan B. Bare, Abrashi dhe Hysaj e tepruan…

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Shtator 4, 2021 | 0:20

Shqipëria ka problemin e vjetër me yjet dhe është pa plan B. Bare, Abrashi dhe Hysaj e tepruan…

Nga NEPTUN BAJKO

Shqipëria më pëlqeu në pjesën e parë. Madje më pëlqeu aq shumë saqë më krijoi bindjen për herë të parë nën drejtimin e trajnerit Edi Reja që ky ekip është vërtet shumë i mirë. Që këta lojtarë të cilët përfaqësojnë Shqipërinë sot janë me të dhëna të mira dhe të një cilësie që mund ta ngrenë dukshëm nivelin edhe me rezultate në të ardhmen. E them këtë sepse ekipi në pjesën e parë, në ndryshim nga herët e tjera luajti me lëvizshmëri të mirë. Ishte i kujdesshëm në mbulime dhe në markimet e lojtarëve kundërshtarë. Treguan forcë, karakter dhe grinte në përshtatje me kundërshtarin. Si rezultat i këtyre veprimeve në fushën e lojës erdhi edhe kombinimi shumë i mirë mes Gjasulës dhe Cikalleshit, i cili veproi shpejt dhe mirë si një sulmues që e njeh mjaft mirë detyrën e tij, por ishte veprimi i parë dhe i fundit vertikal. Dhe në këtë aspekt ekipi duhet të përmirësohet në të ardhmen.

bajko

PROBLEME ME MBAJTJEN E TOPIT – Në gjykimin tim mbajtja e tepruar e topit nga Bare, Abrashi dhe deri diku edhe Hysaj në pjesën e parë ndikuan që skuadra kundërshtare të kthehej, të zinte pozicionet e duhura dhe të zvogëlonte rrezikun. Duhet thënë një herë e mirë se mbajtja e tepruar e topit është me rreziqe të mëdha për ekipin tonë. U vërtetua edhe në këtë ndeshje. Ne jemi ende foshnjarakë në mentalitetin e lojës sepse entuziazmi i një goli i bën mirë çdo ekipi, patjetër, por duhet shoqëruar edhe me veprime racionale. Duhen ruajtur ekuilibrat në çdo aspekt dhe ajo që është më e rëndësishmja ka momente kur ekipi luan siç di vetë dhe jo si është udhëzuar nga trajneri. Kemi shumë nevojë për pjekuri taktike.

GOLAT E PËSUAR DHE DEFEKTI ME…YJET – Fokusohemi shumë tek ylli i një skuadre… Ka qenë e meta jonë kjo prej vitesh dhe dekadash… Kur një ekip ka një lojtar si Kejni, Ronaldo apo Levandovski, pra të kalibrit botëror, me dashje apo pa dashje ne çdo gjë e ndërtojmë për të mbuluar këtë lojtar. Pa dyshim, masa specifike duhen marrë, por jo i gjithë ekipi të mendojë se Levandovski është Polonia… Jo! Shikoni golin e parë: asnjë nga lojtarët tanë të mbrojtjes nuk dinte të orientohej, as portieri madje. Pse? Sepse të gjithë mendonin “ku është Levandovski?” Dhe ky është problem i madh…

SKEMA NUK BIND – Vazhdoj të kem bindjen se Kombëtarja jonë nuk është në atë nivel që të aplikojë si duhet këtë skemë për të cilën këmbëngul trajneri Reja. Mendoj se nuk kemi skuadër dhe aq fleksibël me lojtarë që të ndryshojnë pa gabuar nga moduli 5-3-2 kur mbrohemi në 3-5-2 kur sulmojmë. Kjo kërkon përsosmëri për të pasur rezultat dhe ne nuk e kemi arritur ende këtë përsosmëri. Përkundrazi, disa nga lojtarët nuk e kanë të qartë se çfarë duhet të bëjnë dhe nuk interpretojnë skemën. Është e pashpjegueshme se si Shqipëria vertikalizoi vetëm një herë edhe shënoi. Më pas kjo nuk ndodh më. Është e pakuptimtë të jemi kaq të ngurtë me skemën dhe me dietën, ndërkohë që Polonia, e cila na mundi 4-1 përdori disa taktika. Në momente të caktuara u tërhoq dhe na goditi me kundërsulme.

Por ne pse nuk u tërhoqëm disi në pjesën e dytë? Pse i bëjmë zëvendësimet atëherë kur e dimë se ato nuk ia ndryshojnë dot më fatet ndeshjes? Janë disa detaje që nuk i vlerësojmë sa duhet, por ato bëjnë diferencën. Kam përshtypjen se Shqipëria në momente të caktuara duhet edhe të mbrohet me shumë forca e të kundërsulmojë. I jep pak mundësi skuadrës të rigrupohet, të kursejë energji dhe të mendojë me qetësi se si duhet ta godasë kundërshtarin. Nuk kemi ne potencial aq të madh sa të luajmë vetëm me një sistem loje dhe të sulmojmë gjithnjë njësoj si në minutën e parë, ashtu edhe në të fundit. Duhet që të punohet më shumë dhe më thjeshtë me lojtarët para ndeshjeve. Nuk është rastësi që morëm 3 të verdhë për 11 minutat e para… Kjo ndodh sepse lojtarët janë të stresuar për udhëzime që ndoshta nuk i bëjnë dot dhe për gjëra që nuk i kuptojnë dhe kjo i bën nervozë që në fillim të ndeshjes. Kështu më duket mua…

PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"