Gjysma e Kombëtares sfilitet për 45 minuta, Reja s’mori asnjë masë për Solomonin. Ja pse shthuremi

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Qershor 12, 2022 | 12:51

Gjysma e Kombëtares sfilitet për 45 minuta, Reja s’mori asnjë masë për Solomonin. Ja pse shthuremi

NGA NEPTUN BAJKO

Dikur një nga trajnerët me të cilin kam pa sur fatin të stërvitem dhe të rritem si futbollist dhe pastaj si trajner i ri në këtë profesion më këshillonte: “Asnjëherë nuk duhet të jesh i nervozuar në pushimin e ndeshjes. Nuk duhet të fillosh me kritika ndaj njërit ose tjetrit, por gjithmonë do të pasqyrosh anët pozitive, do të vësh në dukje me qetësi të metat dhe si mund të korrigjohen ato dhe pastaj të ndalosh te të metat edhe si ekip, edhe tek individë të veçantë”.

SHQIPERI IZRAEL

E kam fjalën për Refik Resmen e shquar. Nisur nga kjo, Kombëtarja jonë pasqyroi një lojë të mirë në pjesën e parë, ishte më e organizuar, repartet ruajtën distancat e duhura dhe gjithmonë ekipi zhvilloi një nivel loje të mirë.

Në këtë këndvështrim vlerësimet në tërësi janë pozitive, por një sy i mprehtë profesional duhet të kuptonte se disa lojtarë nga dëshira dhe entuziazmi lëviznin më tepër se ç’kërkohej. E kam fjalën për Balliun, Abrashin, Uzunin dhe deri diku për Ismajlin që po punonte shumë mirë në mbrojtje.

PROBLEMET Skuadra u fut në pushim me fitore, që ishte shumë e rëndësishme si për publikun, ashtu edhe për moralin e ekipit. Por çuditërisht, shumë çuditërisht ama, pjesa e dytë, për mendimin tim ishte një fotokopje e pjesës së dytë të luajtur në Islandë.

Kapja në befasi nga kundërsulmet e Izraelit, kapja në çekuilibër të plotë e mbrojtjes solli pësimin e golit të barazimit. Me meritë të plotë shënoi Solomon i Izraelit.

Pas kësaj kemi të njëjtën rënie psikologjike dhe fizike, çekuilibër në çdo repart dhe më keq akoma, kur skuadra tentonte të sulmonte, harroi mbrojtjen.

Foto: F. Hazisllari

Foto: F. Hazisllari

Pikërisht këtu rivalët vepruan me zgjuarsi duke shënuar edhe golin e dytë, madje duke rrezikuar edhe dy herë të tjera. Problemi serioz, dhe shumë i madh sipas meje, është lodhja që u pasqyrua te disa lojtarë. Dhe këtu dua të ndalem sepse ka një gabim që përsëritet: me fillimin e ndeshjes dhe gjatë gjithë pjesës së parë lojtarët pasqyrojnë lëvizshmëri, përballim të ngarkesave dhe dëshirën për të arritur sa më parë te suksesi.

Por po ta shohësh me vëmendje, kjo ngarkesë e lartë dhe menaxhimi i gabuar i energjive bie te 3-4 lojtarë të skuadrës sonë, të cilët janë: Abrashi, Uzuni, Balliu deri diku edhe Asllani. Më vonë, pa dyshim edhe te Broja dhe Ismajli. Kjo tregon se nuk ka ndarje të energjive, pra që ngarkesa e një reparti është më e madhe sesa e reparteve të tjera.

Ndryshimet në mbrojtje dhe mosharmonizimi i veprimeve çon atë që me kalimin e minutave skuadrës i humb kompaktësia, loja në bllok, duke çuar në zgjatjen e ekipit në gjithë fushën dhe duke e bërë atë shumë të lexueshëm dhe pak efikas në aksionet sulmuese.

Kjo u lejon kundërshtarëve tanë të shfrytëzojnë mjaft mirë kundërsulmin dhe befasinë. Futbolli nuk bëhet me deklarata. Nuk fitohet ndeshja pa filluar akoma me premtime nëse ato nuk janë realiste. Kjo pa dyshim na çon në situata që nuk mund t’i përballojmë as fizikisht dhe as psikologjikisht.

KONKLUZIONI Duke marrë parasysh të dyja ndeshjet, këtu nuk flitet më për progres. Gjërat duhen parë me realizëm dhe të bëhet një analizë e detajuar.

Ky është një ekip kombëtar dhe ka shumë ndryshim nga një skuadër klubi. Nuk mund të bëhen vazhdimisht eksperimente, ndryshime pozicioni…

Ne humbasim identitetin tonë, sepse ne forcën e kemi te grupi, sado talente të kemi. Nëse Shqipëria nuk funksionon si një grup kompakt, nuk fiton dot dhe nuk shkon dot askund.

Nuk e di a bëhen analiza për skuadrat me të cilat ne ndeshemi, sepse të njëjtat gabime u panë me Islandën dhe po të njëjtat me Izraelin. Qartazi Izraeli kishte marrë masa kundër nesh, duke filluar që nga mbulimi i Brojës dhe deri te markimi i lojtarëve të mesfushës që nuk i lejonin të organizonin aksionet. Presingu i Izraelit në pjesën e dytë ishte gjithashtu domethënës, ndërsa ne u çekuilibruam dhe nuk kishim asnjë plan rezervë.

Pra nëse ata morën masa për Brojën, po ne për Solomonin çfarë masash morëm? Kjo është e pafalshme. Një tjetër problem është që ne nuk improvizojmë asnjëherë.

FOTO: F. Hazisllari

FOTO: F. Hazisllari

Shqipëria fitoi disa herë goditje standarde dhe goditje këndi, por ne nuk kemi asnjë skemë, edhe pse për fat në ekip ka disa lojtarë shtatlartë që mund të godasin…

Ne nuk jemi asnjëherë të rrezikshëm sepse nuk kemi asnjë skemë të përpunuar. Nuk ka kurrë një gjë të tillë me Rejën. Problem janë zëvendësimet. Aktivizimi i Veselit nuk e di se sa ndikon në harmoninë e mbrojtjes, por e kam fjalën edhe tek futja e disa sulmuesve nxitimthi pa pasur asnjë plan dhe asnjë ide se si do ta kërkojnë golin. Këto janë tentativa në dëshpërim e sipër që nuk i takojnë një ekipi kombëtar.

PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"