Fitore për oksigjen, Dukës dhe Panuçit u duhet vendim i drejtë

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Nëntor 21, 2018 | 19:57

Fitore për oksigjen, Dukës dhe Panuçit u duhet vendim i drejtë

NEPTUN BAJKO

neptun bajko

Kjo ndeshje për mua pati një gjë pozitive: mënyra sesi u vendos ekipi në fushë, detyrat më të përcaktuara në aspektin mbrojtës si ekip në përgjithësi dhe kujdesi për të mos gabuar. Mendoj që ekipi kishte ndryshim në pikëpamjen e lojës dhe ky ndryshim vinte pa dyshim nga kujdesi i tepruar i trajnerit, por në të njëjtën kohë ky takim nxori në pah çekuilibrimin që e ka shoqëruar skuadrën tonë dhe trajnerin në këto ndeshjet e fundit. Unë e kuptoj që është shumë e nevojshme pak qetësi.

Arsyetim logjik i situatave, nëpër të çilat po kalon ekipi kombëtar si dhe marrëdhëniet brenda dhe jashtë skuadrës. Thjeshtësia për t’u korrigjuar, aftësia për të kuptuar dhe parandaluar situata që mund të bënin akoma më rënduese ndeshjen me Uellsin, kujdesi që u tregua veçanërisht në pjesën e parë nxori në pah të gjitha të metat, gabimet me qëllim ose nga mosnjohja profesionale e kësaj loje, gjithashtu një situatë e tillë të bën të vuash dhe pa dyshim të humbësh edhe besimin.

kombetarja

Kur vihet në dyshim besueshmëria dhe aftësia profesionale është shumë e vështirë që një skuadër, aq më tepër kombëtarja, të përparojë në dy fronte: që skuadra, lojtarët, të gjejnë vetveten dhe në të njëjtën kohë të ndihmojnë edhe stolin e trajnerit. Ndeshja në këtë aspekt, e fituar me Uellsin, tregoi që optimizmi i shfaqur mbas saj fsheh shumë të meta dhe boshllëqe. Nuk jep shpresë për një të ardhme më të mirë dhe ekipi Kombëtar do të vazhdojë të vuajë midis asaj që është, ripërtëritjes që duhet të bëjë dhe pjesëmarrjes me dinjitet në aktivitetin ndërkombëtar që po vjen.

Patjetër që trajnerit i duhet pak kohë për të reflektuar dhe në fund është po ai që do të vendosë nëse do t’ia vlejë barra qiranë për të rrezikuar. Për mendimin tim, edhe pse oksigjeni i marrë në këtë takim miqësor vlen, gjykoj që e ardhmja është jo shumë shpresëdhënëse dhe optimiste. Trajneri nuk duhet të presë në pasivitet ngjarjet, përkundrazi, duhet të reagojë dhe të reflektojë për ecurinë e mëtejshme. Unë mendoj që trajnerit Panuçi i duhet dhënë edhe pak kohë, por kjo e grisur që ndodhi në këto ndeshjet e fundit dhe sidomos ajo me Skocinë, kjo e grisur pra, nuk mban më arna…

Një vendim i drejtë ka më shumë vlera sesa dy vjet analiza, këshilla, qindra artikuj, kritika të mira ose jo. Pra, në këtë aspekt nuk e di kujt i takon ky vendim i drejtë: Panuçit apo presidentit. Është e thjeshtë të pranosh kur nuk ka ngelur më asgjë në dorë, sepse lojtarët duhet të jenë të përgjegjshëm të tregojnë vlerat e profesionizmit, të kuptojnë në themel rëndësinë e ekipit Kombëtar.

Ata luajnë për vete, mund të sakrifikojnë një moment të vështirë që kalon ekipi dhe trajneri, e mandej të luajnë edhe për trajnerin e tyre. Por, kjo është dobësi nga të dyja palët: trajner-lojtar. Mendimi im është që të gjithë lojtarët që kanë përfaqësuar ekipin Kombëtar të Shqipërisë, që të gjithë trajnerët që kanë pasur fatin të drejtojnë ekipin Kombëtar, qofsha i gabuar, por përvoja nuk ma lejon këtë, kemi vënë të gjithë me lugë, por kemi marrë me lopata. Ndaj, duhet të jenë të kujdesshëm dhe të vetëdijshëm se çfarë përfaqësojnë ata kur zbresin në fushë.

Ky artikull është ekskluzivisht për Panorama Sport. Riprodhimi i tij nga media të tjera në mënyrë të pjesshme ose të plotë pa lejen e kompanisë do të ndiqet në rrugë ligjore.

 

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"