Vendosje perfekte, fitoi strategjia mbrojtëse e Egbosë

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Gusht 21, 2020 | 20:06

Vendosje perfekte, fitoi strategjia mbrojtëse e Egbosë

MIREL JOSA

josa

E uroj Tiranën për re zultatin që mori. Të them të drejtën, isha pak skeptik nëse do të flisnim para ndeshjes, por jo se nuk kisha besim te skuadra. I druhesha më tepër faktit që do të luhej në transfertë dhe mbi të gjitha shikoja si problem afërsinë e kësaj ndeshjeje në Champions vetëm pak ditë pas përfundimit të kampionatit.

Fakti që luhej vetëm me një takim, ishte një specifikë tjetër, por në tërësinë e lojës, unë mendoj se Tirana e meritoi fitoren ndaj Dinamos. Komplimente Egbosë, që dikur ka qenë ndihmësi im dhe tani i uroj suksese. Ajo që mund t’i them është se duhet të vazhdojë punën duke pasur parasysh mendimet e tij dhe konsultimet që ka me njerëzit që e kuptojnë futbollin, jo të tjerët. Ai është vetë i zgjuar, sepse derisa ka ardhur këtu, ka ditur t’i menaxhojë mirë situatat.

STRATEGJIA

Skuadra ishte e mirëvendosur në fushë gjatë pjesës së parë. Tirana e nisi me një vendosje me katër mbrojtës, katër mesfushorë dhe luante me 1+1 me Torasën dhe  Muçin. Nga ajo që ndoqa, strategjia e Egbosë ishte që të ruhej fillimisht, sepse të themi të drejtën, në fushë pamë një skuadër që nuk u zgjat shumë. Ishte një ekip i shkurtër dhe të dy lojtarët e sulmit, Torasa dhe Muçi, punonin paralel me njëritjetrin, duke ua ngushtuar hapësirat të dy qendërmbrojtësve të Dinamos në mënyrë që të vertikalizonin. Këtë punë e bënë mirë edhe dy mesfushorët e qendrës, Batha dhe Çelhaka.

Këta të dy ia lehtësuan shumë punën mbrojtjes. Problemi ishte se Tirana, sidomos në pjesën e parë, mbeti në pritje dhe tentoi vetëm përmes dy kundërsulmeve. Mirëpo, në ato dy raste, tregoi se mund ta godiste ekipin gjeorgjian. Në ato momente skuadra u mundua me Kobinanë, Torasën dhe Kalenë, duke dhënë dy-tri shkëndija, por kjo ishte shumë e rëndësishme për vazhdimësinë e lojës. Aty u rrit besimi i Tiranës. Goli i parë erdhi si pasojë e një këmbënguljeje për t’u admiruar në zonën e Torasës. Por, me një presion pak më të lartë, Tirana do ia lehtësonte shumë punët vetes që në pjesën e parë. Megjithatë, kjo ishte strategjia që u zgjodh nga trajneri Egbo dhe të gjitha gjërat shkuan mirë.

Në pjesën e dytë Tirana ishte shumë më e qartë sa u përket daljeve në sulm dhe goditjes së kundërshtarit. Prandaj thashë më lart, që nëse do të kishte guxuar pak më tepër në pjesën e parë, me siguri do ia kishte bërë më të thjeshtë vetes. Gjithsesi, në total skuadra kishte më tepër gjëra pozitive. Sigurisht brenda lojës do të ketë edhe gabime, por e rëndësishme ishte që nuk iu la ekipit kundërshtar hapësira për të vertikalizuar. Edhe në ato dy raste që Dinamo rrezikoi Tiranën, më shumë ishin episode që erdhën prej gabimeve të ekipit tonë. Pas kësaj fitoreje, mendoj se Tirana është në rrugë shumë të drejtë për të vazhduar punën.

MUÇI SI BAST

Së pari, duhet të ndajmë gjërat dhe sigurisht nuk duhet diskutuar ajo që ka bërë Ngo, sepse në këtë moment ai është një kapitull i mbyllur për Tiranën. Nuk mund të themi që skuadra nuk kishte besim kur shikonte që Muçi ishte i vetëm në majë. Ai është një lojtar që e ka treguar veten dhe nuk mund të bëjmë fare krahasime me Ngonë. Klubi ka marrë edhe Avdijajn për të treguar se sa vlen. Në gjykimin tim, Muçi e bëri shumë mirë punën. Në pjesën e parë duhet të kishte rritur lojën sa i përket kërkesës së topit, sepse kjo u konfirmua në pjesën e dytë, kur lojtari ishte shumë i qartë në zotërim dhe shpërndarje të topit. Kjo vazhdoi edhe me goditjen që i bëri portës në golin e Ismajlgecit.

Mirel Josa Tirana

DEBUTIMET

Janë marrë dy lojtarë që debutuan në mbrojtje. Najdovski është një mesfushor që në fakt ka luajtur në pozicionin e qendërmbrojtësit edhe te Vardari, pasi e kam ndjekur dy sezone më parë. Është një lojtar i pozicionuar mirë, që do të ngrejë lojën në vazhdimësi. Sa i përket lojtarit të krahut të djathtë, Toshevski, mund të them që u limitua disi, sepse Tirana kishte një strategji që katërshja e mbrojtjes të mos lëvizte fare gjatë gjithë lojës.

Pra, në aspektin sulmues, siç bënte Doka kur ishte te Tirana, nuk u pa Toshevski. Nuk pati dalje prapa shpine nga lojtarët e krahut, por që gjithsesi i bëri mirë detyrat në fazën mbrojtëse. Në ndeshjet e ardhshme do të shikohet edhe cilësia e tij në daljet në sulm. Në veprimet mbrojtëse të dy maqedonasit ishin OK, por gjatë lojës u bënë edhe lëvizje nga trajneri që kërkoi të ruante rezultatin dhe Tirana u rreshtua edhe me 5 lojtarë prapa.

Këtu kam parasysh lojën pas aktivizimit të Tolit dhe Muçës. Kjo ishte zgjedhja e trajnerit dhe shumë mirë bëri. Një pikëpyetje është që sado të jetë në gjendje Toshevski të ndihmojë skuadrën në fazën sulmuese, pasi Tirana është një ekip që sulmon, nuk mbyllet.

VAZHDIMËSIA

Futbolli nuk luhet me idenë që çfarë ka bërë Skënderbeu më parë dhe do ta bëj edhe unë. Janë realitete komplet ndryshe dhe nuk mund të krahasohen, por Tiranën nuk e pengon asgjë për të provuar. Janë shumë gjëra që duhen bërë bashkë, në mënyrë që të vijë edhe suksesi. Në këto kompeticione duhet fati me vete, por edhe një short i mirë. Tani nuk janë më ndeshje vajtjeardhje, por ka një specifikë tjetër. Futbolli luhet me situata. Tani do të luajë me Crvena Zvezdën në Tiranë dhe shanset janë aty, pasi nuk ka asgjë për të humbur.

* Shënim: Artikull ekskluzivisht për “Panorama Sport”. Ndalohet kopjimi dhe riprodhimi pa lejen e kompanisë.

 

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"