Tetë vjet më parë, kur hidheshin themelet e “Ligës profesioniste”

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Korrik 30, 2018 | 22:18

Tetë vjet më parë, kur hidheshin themelet e “Ligës profesioniste”

MIKEL SHESTANI*

Konkurrim me aplikim, “fitues” me emërim… Po nesër…?! Më 22 korrik, gazeta “Panorama Sport” botoi artikullin: “Liga profesioniste, firmosin 10 klubet”. Sipas shkrimit, z. E. Libohova, ka nisur “turin” e bisedimeve me drejtuesit e klubeve… për të bërë të mundur përcaktimin e strukturave drejtuese, që do të menaxhojnë dhe marrin vendime mbi Ligën. Iniciativa e ndërmarrë nga z.Edvin Libohova dhe që ka vendimin unanim të të gjitha ekipeve të elitës, nuk është tentativa e parë.

auto_DUKA1496159581

Ajo e ka fillesën para 8 vjetësh, në korrikun e atij viti, kur me iniciativën e z. Koço Kokëdhima u bë përpjekja e parë për formimin e “Ligës profesioniste”. Për disa ditë rresht, në muajin korrik 2010, gazeta “Sporti shqiptar” botoi nën siglën e FSHF-së lajmërimin: Ftesë për aplikim, ku ftoheshin personat e interesuar të aplikonin për postin e kryetarit të Kolegjit të Mbikëqyrjes dhe Vlerësimit të Gjykimit në Kategorinë Superiore. Aplikantët duhet të plotësonin pesë kritere.

Pa hyrë në “leximin” e ditarit të ditëve të nxehta të korrikut, krijimi i “Ligës profesioniste” ishte një ngjarje e madhe për futbollin. Pavarësisht se ishte jashtë juridiksionit organizativ të FSHF-së, në ambientet e saj kishte dëshirë, impenjim dhe predispozicion të përfaqësuesve të iniciativës. Megjithatë, ra në sy mungesa e figurave të arbitrimit, të cilët nuk kishin aplikuar për dy poste të rëndësishme në drejtimin e sektorit të arbitrimit?!

Në ditën e parë, z.Koço bëri një ekspoze të futbollit shqiptar. Ai foli për arritjet, mangësitë dhe për rrugën që duhet ndjekur për një futboll të pastër. Në ditët në vazhdim, z. Koço konfirmoi zotin Arsen në detyrën e dezinjatorit të arbitrave, i cili për hir të së vërtetës bëri një punë kolosale në përgatitjen e dokumentacionit të duhur. Pas përfundimit të konkurrimit, z.Ardian më njoftoi se, mbledhja e KE-së miratoi kandidaturën e z.Arsen, që në fakt ishte shpallur “fitues” që në ditën e parë të konkurrimit. Ndërsa më tej vazhdoi me një të folur lakonike… se, emri yt nuk u lexua..!?

Në fillim të gushtit u emërua edhe dezinjatori i vëzhguesve, duke i dhënë fund një odiseje, në kundërshtim me kërkesat për aplikuesit. Megjithatë, tentativa e parë për krijimin e “Ligës” dështoi. Duke lënë të djeshmen pas, lajmi i dhënë në këtë korrik të vapshëm, riktheu shpresën për futbollin. Në prag krijimi të “Ligës profesioniste” Ç’duhet bërë “nesër”? Rruga më e thjeshtë, transparencë e hapur. Shumë e hapur, pa “miq” meskinë kafesh e interesash, bashkëpunim i ndërsjellë institucional e profesional dhe mbi të gjitha, zbatim rigoroz i ligjeve, dokumenteve dhe vendimeve të institucionit.

Qëllimi përfundimtar, të mos jetë fitorja e një apo dy betejave, qoftë edhe si[ shprehet iniciatori z.Edvin se,… nesër klubet do ta kenë midis tyre dhe nuk???????? do të kenë se ku të qahen!?… Qëllimi është të fitohet lufta për një futboll të pastër me moton: Loja e ndershme, misioni ynë. Duke u mbështetur tek institucioni i futbollit, i cili ndër vite tiparin e vet kryesor ka pasur dhe ka humanizmin dhe ndihmën e pakursyer të medias së shkruar dhe televizive, që kanë qenë dhe janë oponenca reale për ecjen përpara të futbollit, “Liga” do e fusë futbollin shqiptar në shinat e së drejtës… * Vëzhgues futbolli. 

Ky artikull është ekskluzivisht për “Panorama Sport”. Riprodhimi i tij nga media të tjera në mënyrë të pjesshme ose të plotë pa lejen e kompanisë do të ndiqet në rrugë ligjore.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"