Me njoftim pas mesnate, nuk ka drejtësi sportive

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Shtator 29, 2021 | 21:54

Me njoftim pas mesnate, nuk ka drejtësi sportive

Nga MIKEL SHESTANI*

andi koci var

Fillimi i përdorimit të sistemit VAR në Superiore duhet përshëndetur si një hap i rëndësishëm në vendosjen e drejtësisë sportive. Sportdashësit e kanë pritur me optimizëm këtë risi në fushat e futbollit. Të gjithë jemi të interesuar që arbitrat të shfaqin në fushën e lojës integritet dhe profesionalizëm. Pa hyrë thellë në analizën teknike të javëve të para në funksionalitetin dhe bashkëpunimin arbitër-VAR duhet të ndalem në një problem që ka të bëjë me dinjitetin e arbitrit të futbollit.

Nëse në tri javët e para dobësitë e vërejtura mund të justifikohen me arsye të ndryshme, në të ardhmen kërkohet nga arbitrat, sidomos të VAR-it “shfletimi” i përditshëm i rregullores së futbollit, udhëzimeve të UEFA-s dhe praktikimi i përditshëm i teknologjisë së re në dhënien e një komunikimi sa më të shpejtë e të drejtë. Por, për të arritur suksesin e pritur, sportdashësi kërkon në fushën e lojës, së pari, arbitër me dinjitet e pastaj mjeshtër të “bilbilit”.

Për këtë do të presim në javët në vazhdim. Arbitri me dinjitet kërkon që ndaj tij të reflektohet me qytetari dhe objektivizëm. Më duket joproduktive dhe zgjidhje e problemit caktimi i arbitrave në prag mesnate për ndeshjen e së nesërmes. Caktimi i arbitrave në orët e vona të natës nuk eliminon problemet objektive dhe subjektive të sjelljes së presidenteve të klubeve që bëjnë presion ndaj arbitrave. Ndonëse janë lajmëruar në prag mesnate, rastet negative kanë qenë jo pak dhe jo me pak kosto…

Fajtorët janë lehtësisht të verifikueshëm. Ata ndodhen jashtë fushës së lojës e brenda saj. Arsyetimi i drejtuesve se arbitrat mbrohen nga presidentët ose njerëz të tjerë duke u njoftuar në mesnatë nuk është as produktiv, as profesional e as më pak qytetar. Pavarësisht se për arsye të ndryshme nuk e kërkojnë “mesnatën”, ata duan të trajtohen si kolegët e tyre europianë. Rastet negative të ndodhura janë ndëshkuar me të drejtë nga drejtuesit e federatës, por a ka rrugë të tjera më efikase për një futboll të pastër?

Po, por duhet objektivitet, transparencë dhe zbatim rigoroz i rregullave të futbollit. Në këtë kuadër, fillimi i funksionimit të sistemit VAR është një hap i rëndësishëm. Ai “do të flasë” saktë e qartë për vendimmarrje të drejtë, për presidentë problematikë, për arbitra me dinjitet të cunguar. Justifikimi se gabon edhe sistemi VAR nuk qëndron.

Ish-vëzhgues futbolli*

PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"