Super Liga në të drejtën e saj, UEFA ballkanike “fut ujë”

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Prill 22, 2021 | 18:31

Super Liga në të drejtën e saj, UEFA ballkanike “fut ujë”

Nga LIRIM ZALLA

lirim zalla

Diskutimet e shumta në të gjithë botën, pas krijimit të Super Ligës nga 12 klubet e mëdha të Europës në futboll, ka ndezur, zbuluar dhe konfliktuar shumë njerëz. Disa për interesa, të tjerë për xhelozi dhe të fundit për paaftësi, kundërshtuan me forcë idenë dhe bashkimin e të mëdhenjve.

Natyrshëm lindin pyetjet: Pse? Çfarë është UEFA? Çfarë përfaqësojnë të mëdhenjtë e futbollit? Cila është e keqja që kanos UEFA-n etj., etj. UEFA është një shoqatë, e cila ka statutin e vet me të drejtën për të organizuar futbollin, për të zhvilluar këtë sport tek amatorët dhe për të menaxhuar të ardhurat që vijnë nga ky lloj aktiviteti.

Ajo është zgjedhur nga anëtarët e UEFA-s (federatat e Europës) dhe funksionon prej gati 70 vjetësh në këtë formë. Ajo tani si kurrë ndonjëherë, është lokalizuar për të qenë ballkanike. Presidenti Ceferin nga Sllovenia thotë që është marrë me xhudo. Sekretari i përgjithshëm Teodoridhis nga Greqia, më parë ka qenë një punonjës i zakonshëm në federatën helene. Drejtori i Ekipeve Kombëtare Lakoviç nga Serbia edhe ky ish–punonjës i federatës serbe.

Pra, futbollin e miliardave që luan Anglia, Spanja, Gjermania, Italia, Franca etj., i komandon kjo treshe me futboll të vockël dhe shpesh herë problematik. Kush i prodhon këto miliarda euro? Sigurisht të mëdhenjtë. Kush i paguan në shifra më të larta futbollistët më të mirë të botës? Sigurisht të mëdhenjtë.

Kush e shet të drejtën televizive me shifra super të mëdha? Sigurisht të mëdhenjtë. Kush i afron sponsorët më të fuqishëm në futboll? Sigurisht të mëdhenjtë. Por, kur këta të mëdhenjtë prodhojnë kaq shumë para, pse nuk duhet të mendojnë organizimin e tyre pa UEFA-n? Pse? Këta të Super Ligës nuk po cenojnë të drejtat e Federatave respektive, rrjedhimisht edhe të UEFA-s. Po ta marrësh me qetësi dhe jo si presidenti UEFA-s Ceferin, që ofendon Anjelin, e po ta analizosh me shifra dhe fakte edhe po ta arsyetosh me logjikë, Super Liga ka të drejtë. Bajerni i Mynihut si fitues i Champions League në edicionin e kaluar nga i gjithë rrugëtimi i tij përfitoi nga UEFA 82 milion euro, gati njësoj sa një skuadër që bie nga Premier Liga në Angli për një destinacion më poshtë. Ndërsa të mëdhenjtë vetëm për pjesëmarrje paguajnë 350 milion euro për çdo skuadër.

pjimage (1)

Në këtë krizë që është sot, kuptohet që të ardhurat janë të “çmendura”. Po të ndiqni me kujdes rrjedhën e ngjarjeve, UEFA vetëm kërcënon. Ajo të njëjtën gjë bën sa herë përmenden paratë, madje nuk lejon asnjë shtet të ushtrojë kontroll financiar në federatat e vendeve europiane duke ngritur barrikadën e përjashtimit. Presioni i të mëdhenjve ka qenë gjithnjë prezent përballë UEFA-s dhe për këtë arsye ajo krijoi edhe kompeticionin e Nations League ku të mëdhenjtë luajnë midis tyre. Pse e lejoi UEFA ballkanike këtë?

Sepse me ekipet kombëtare, gjërat janë më të lehta, federatat janë më të kontrollueshme. “E tmerrshme” për ta është që të mëdhenjtë e futbollit të dalin jashtë kontrollit. Ata që prodhojnë më shumë para janë frika më e madhe për UEFA-n. Në muajin prill të vitit të kaluar, UEFA shpërndau nga 4,5 milionë euro për dëmin që shkaktoi Pandemia në futboll.

Këtë shifër e përfitoi njësoj edhe Anglia, edhe San Marino, edhe Spanja, edhe Andorra, edhe Gjermania edhe Ishujt Faroe. Besoj nuk ka nevojë për koment, vota është e barabartë nga të gjithë, paçka që humbjet nga Pandemia kanë diferenca gjigande. UEFA sot vepron kështu: kur përfiton qëndro kapitalist, ndërsa kur të shpërndash të ardhurat vepro si komunist. Por është e padrejtë, sepse i takon që një sipërmarrës që krijon, investon dhe realizon një biznes të suksesshëm, kur t’i vijnë fitimet, t’i ndajë në mënyrë të barabartë për të gjithë punëtorët e tij. Kështu nuk ka.

Kjo gjë më kujton vitet ’80, atëherë kur në Shqipëri nuk ishte e rëndësishme se çfarë fakulteti mbaroje, i rëndësishëm ishte vendi i emërimit se ku, sepse paga ishte njësoj 6700 lekë të vjetra për juristët, mësuesit, inxhinierët, agronomët etj. Super Liga ka të drejtë të vendosë për veten e saj. Edhe pse u tërhoq Çelsi, Mançester Siti, edhe pse dha dorëheqjen drejtori i Mançester Junajtid, anija e UEFA-s “futi ujë”. Skuadrat e mëdha në Angli, Spanjë e Itali e dhanë sinjalin e shkëputjes legjitime.

Në Gjermani klubet nuk kanë mundësi sepse 51% janë pronë publike, ndërsa PSG ka një president që merret me shitjen e të drejtës televizive të Champions League dhe këtë e ka bërë UEFA. UEFA ballkanike “futi ujë”, në mos sot nesër kjo gjë do vijë. Njerëzit e mëdhenj të futbollit të madh do të vendosin vetë pa kërcënimet vulgare. Prandaj UEFA e dashur, o të mbyllë vrimat për të ndaluar vërshimin ose të mbytet në imagjinatën e ofendimeve dhe përjashtimit.

PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"