Tirana nuk i mbulon dot të gjitha

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Gusht 1, 2018 | 22:06

Tirana nuk i mbulon dot të gjitha

JETMIR HALILAJ

Jemi në prag të sezonit të ri që nis me Superk upën më 12 gusht dhe një javë më pas vijon kampionati. Ai që shkoi, nuk ishte sezon i keq, sepse pati garë, pati ndeshje shumë të mira, por në fund u mbyll shëmtuar. Kush nuk beson, mjafton të kujtojë “spektaklin” që dhuruan Skënderbeu me Vllazninë (1-5) para syve të Dukës, pikërisht ditën që ai dorëzoi trofeun e kampionit. Partizani-Kamza 0-1, ishte gjithashtu një “spektakël” më vete…

23331335_10213349011056343_6329755699141316009_o

Në një vend normal, me një federatë serioze dhe me klube që kërkojnë të përmirësohen vit pas viti, minimalisht sezoni i ri duhej të kishte nisur me ndryshime të rëndësishme. Nuk bëhet fjalë detyrimisht për një revolucion që mund të prekte numrin e skuadrave apo të formulës së kampionatit. Por, për disa ndryshime të domosdoshme që kanë të bëjnë direkt me infrastrukturën e klubeve, me sektorin e arbitrimit, me disa standarde që duhet të respektohen nga të gjithë. Mirëpo, sa herë preket kjo temë, ata më optimistët të përmendin faktin që Superiores i është rikthyer Tirana.

Shumë mirë. Por, a mjafton kaq për të thënë se ky do të jetë një sezon më i mirë? A mjafton pra, që me rikthimin e Tiranës të “kompensohet” rënia e Vllaznisë? A mjaftojnë katër derbi për të thënë se edhe arbitrat do të jenë më të përgjegjshëm? Që nuk do të ketë më teatër dhe “Jorgjër” që vendosin gjithçka me një bilbil? E vështirë. Federata nuk ka shfaqur asnjë reflektim dhe as nuk do t’ia dijë se çfarë ka ndodhur në të kaluarën. Siç duket, kampionati për FSHFnë është shndërruar në një proces rutinë, si një punë që duhet bërë, jo si një mundësi për të hedhur një hap para.

37910677_2094393877483390_4608117858382118912_o

As që iu bie ndërmend të korrigjojnë çfarë nuk shkon dhe të japin një sinjal se përtej vështirësive të mëdha dhe neglizhencës shtetërore, ekzistojnë mundësitë që të bëhet diçka më e mirë. Por, përveç FSHF-së, edhe klubet e elitës nuk kanë nxjerrë asnjë mësim. Për shembull, kujt iu duk çmenduri që Korabi nuk luajti asnjë ndeshje në qytetin e tij në sezonin 2016- 2017, duhet të presë sepse nuk ka parë gjë akoma…

– Këtë sezon do të jenë, jo një, por dy klube që nuk do t’i luajnë ndeshjet në stadiumet e tyre, Kukësi dhe Kastrioti. 20 për qind e Superiores, pra nuk do të luajë asnjë ditë në qytetet respektive. Për kë luajnë ato? Kë gëzojnë kur fitojnë dhe kujt i japin llogari kur humbin? Çfarë të mirash ka kampionati nga kjo “shpikje”?

– Kampioni në fuqi, Skënderbeu, është i dënuar me 10 vite jashtë Europës. Për çfarë do të luftojnë tani korçarët? Deri kur do të luftojnë? Çfarë do të ndodhë nëse KAS lë përfundimisht në fuqi dënimin e UEFA-s?

37960192_2094313100824801_2211213283271114752_n

– Arbitrat sezonin e kaluar ishin hallka më e dobët e kampionatit. Kush mbajti përgjegjësi për ta? Sa gjyqtarë të rinj do t’i shtohen elitës dhe sa nga që e bënë baltë, do të mbesin jashtë listës së Superiores? Sa prej tyre nuk do të arbitrojnë më fare? Asnjë! Sa nga drejtuesit e sektorit të arbitrimit lanë vendet e punës për shkak të performancës shumë të dobët të bluzave të zeza? Asnjë. Janë të gjithë aty, që nga Kastrati, Brahja, Pregja e me radhë. Jo se nuk i kanë parë gabimet e arbitrave dhe nuk e dinë se çfarë brumi kanë, por ndoshta sepse e kanë bërë detyrën si duhet sipas komandave që marrin nga lart.

– Klubet, ato që ankohen gjithë vitin se “kamikazët” me bilbil u hedhin në erë investimet, nuk flasin për listën e arbitrave, por nisin të grinden, sapo ajo miratohet. Si zakonisht.

– Tirana, Flamurtari, Skënderbeu, Teuta, Laçi, Luftëtari dhe Kamza, akoma nuk janë ndërgjegjësuar që të kërkojnë llogari për kriteret e licencimit. Shpenzojnë miliona për të mirëmbajtur fushat dhe stadiumet, ndërkohë që një klub si Kastrioti mjafton të mbledhë 25 lojtarë dhe të mos e vrasë mendjen për këto “detaje” të parëndësishme. Mirë federata që bën kalkulime për borxhe votash, po klubet a nuk e ndiejnë se ky është një sistem pabarazie tallës?

38008805_2094394057483372_8668631625656958976_o

– Meqë jemi në prag të sezonit të ri, duhet thënë se ka futboll edhe përtej Superiores. I vështirë sa s’bëhet, por futbolli i Kategorisë së Parë, përfaqëson gjysmën e Shqipërisë. Për fat të keq është në ditët e veta më të errëta. Prej financave po se po, por edhe prej një formule të dështuar që ka vendosur federata. Një formulë që në vend të minimizojë trukimet, të promovojë garën dhe të japë shpresë, thjesht bën të kundërtën. Duka e ka pranuar edhe vetë se formula e Kategorisë së Parë “ndoshta duhet rishikuar”, por asgjë nuk ka lëvizur.

As këtë vit. Ndoshta kështu i intereson. Fundja, bashkitë bëjnë politikë me klubet, Duka bën “politikë” me bashkitë. Ç’rëndësi ka se çfarë futbolli luhet, askush nuk ua prish rehatinë. Dhe kur bën sehir për teatrin që nis nga inferiorët dhe përfundon te festa e titullit kampion, është e kotë t’i çosh letër Prokurorisë që ta mbajë futbollin të pastër. Ndaj këtë sezon mund të gëzohemi që u rikthye Tirana, por kjo as i zgjidh dhe as i mbulon problemet që ka futbolli shqiptar. Kështu do të jetë gjithnjë për sa kohë ekskluzivitetin e të bërit biznes me futbollin, do t’ia lënë vetëm federatës.

Ky artikull është ekskluzivisht për “Panorama Sport”. Riprodhimi i tij nga media të tjera në mënyrë të pjesshme ose të plotë pa lejen e kompanisë do të ndiqet në rrugë ligjore.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"