Vendim jo i drejtë, të ikte i gjithë stafi

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Mars 15, 2022 | 20:36


Vendim jo i drejtë, të ikte i gjithë stafi

NGA HYSEN DEDJA

Unë mendoj se dalja nga objektivat, si dhe rroga e madhe e trajnerit mund të kenë qenë arsyet e vendimit të marrë. Nuk e di si janë kushtet e kontratës mes palëve, pasi ka penalitete kur rezultatet mungojnë dhe objektivat nuk arrihen. Dalja nga objektivat dhe mospërballimi i humbjes me Tiranën, që ka qenë shpresa e fundit, mendoj se kanë ndikuar te presidenca për të marrë atë vendim për të ardhmen e trajnerit.

BRDARIC 1

Ndërsa rrugën që u ka mbetur e hapur në Kupë mbase kanë vendosur që ta ndjekin me Plorin dhe stafin e tij. Gjithsesi, mua nuk më duket vendim i drejtë. Nëse do të ishte çështje e trajnerit, për mua duhet të kishte ikur i gjithë stafi. Pasi, nëse e rregullon situatën i dyti, duhej që t’ia kishin thënë trajnerit të parë se ku e kanë të metën, ku e kanë gabimin te merkatoja apo rreshtimi.

Financat? E përmenda më sipër se penalitetet janë të pashmangshme kur del nga objektivat. Ndaj, financat janë të parat. Të mos harrojmë se trajneri që sapo e larguan e kishte rrogën 7 mijë euro në muaj. Mbase kanë vendosur të ulin barrën financiare gjersa kanë dalë jashtë objektivit titull dhe presidenti mendon për një projekt të ri për skuadrën e sezonit të ardhshëm.

Gjithsesi, unë mendoj se faji nuk është i trajnerit, ndonëse edhe Brdariç ka pjesën e tij. Për mua faji është kompleks. Sa i përket shpëtimit të sezonit, nuk e di se si mund ta motivojnë këtë grup. Por, besoj se drejtuesit e kanë menduar gjatë vetë gjersa kanë dalë në këtë përfundim. Për mua, nga ana sportive, largimi i trajnerit në këtë moment nuk është gjë e mirë.

PANORAMASPORT.AL