Kuqezi “part time”

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Prill 3, 2021 | 16:59

Kuqezi “part time”

GJERGJI STEFA

Stefa Gjergji

Si një mjeshtër i fjalës, penës dhe mimikës, kryeministri i vendit 5 vite më parë nuk la – me të drejtë – askënd që dashurinë e tij kuqezi ta konsideronte një moment politik dhe, sipas tij: “Mjerë ata që mendojnë se kjo skuadër do më japë ndonjë votë më shumë”.

Megjithëse e teproi, njerëzit e vlerësuan. Fundja, ka raste kur numrat 1 nuk gënjejnë. Para dha pak, po dhurata ishte e gjetur. Si thonë njerëzit në ditë të tilla, ai të merr në qafë. Pasaportë diplomatike, ambasadorë të vërtetë. Dhe bënte sens, në fakt. Lojtarët tanë ishin milionerë. Ata donin pikërisht pak respekt për atë që bënë. Dhe bënë pikërisht atë që Edi po rreket çdo ditë ta bëjë:

Na çuan në Europë. Pesë vite më vonë, kryeministri i vendit mendoi që krenaria dhe dhurata duhet të ketë datë skadence. Pasaportat u anuluan, dhurata me pak fjalë u kthye mbrapsht. Si nxënës i Konicës dhe i Fan Nolit, harroi që në këtë vend ku dhuratat i pranon dhe mbreti, dhurata e përmendur dhe e kërkuar është një turp që nuk ka fjalë e penë që e merr përsipër. Pyetja është: Pse? A thua për shembull heroi i Lionit, Sadiku, nga Bolivia ku jeton sot e ka bezdisur?

Apo ndoshta Cana, që është njëherazi shtetas italian, francez dhe zviceran e ka keqtrajtuar atë pasaportë?! Jo, me siguri ka diçka tjetër. Gojët e liga thonë që këtë radhë futbollistët nuk pranuan të ishin pjesë e fushatës. Si guxojnë ata – do të ketë menduar numri 1 – sepse pasi pa të gjithë të nderuarit e këtij kombi: mjekë, artistë e këngëtarë, që të dilnin me dy gishta të veshur në rozë, nuk pa asnjë kuqezi që të thotë:

kombetarja-euro-2016-6

“Rama rri”. Për hir të së vërtetës, nuk kanë thënë as “Rama ik”, por meqenëse numri 1 është në momentin: o me mua, o kundër meje, kushedi si i duken sot ata, me të cilët 5 vite më parë ishte gati të flinte në dhomat e zhveshjes, teksa i shihte tërë adhurim që ata i dhuronin kombit atë që ai vetë ndoshta nuk ia kishte dalë, krenarinë ndërkombëtare.

Mos qoftë e thënë që e gjitha kjo ka të bëjë me familjen Duka – kujto pozicionin politik të të vëllait të presidentit të federatës – sepse më pas do të ishte fiks si puna e nuses që fjeti me mullixhiun. Si njeri me klas, penë dhe fjalë, Rama edhe mund të mos dijë gjë, por në këtë Shqipërinë tonë ku të gjesh sot një aleat politik është më e rëndësishme se historia, skuadra e futbollit nuk pranoi me sa duket të thotë 12. Për ta 12 nuk është numri i fletës së votimit, por tifozi i thjeshtë, ai i cili qau kur shqiptarët e fushës u nisën drejt Francës.

Qau edhe Rama, por në ndryshim me tifozin, ai ka luksin të mos jetë vetëm tifoz. Ajo pasaportë diplomatike, ta themi mes nesh, nuk kishte asnjë vlerë materiale. Ata që zbresin në fushë nuk dinë se sa pasaporta kanë dhe ca më tepër për këtë arsye kjo dhuratë e mohuar është një gjest aspak në stilin e Ramës. 23 vite më parë, në 1998, Rama me flokë të zinj dhe me fanellën kuqezi u ul në “Qemal Stafën” e vjetër dhe e shndërroi Shqipëri-Greqi në një ditë feste.

Vuri nga një flamur në çdo stol dhe shkoi në dhomat e zhveshjes duke thënë: “Ju jeni ambasadorët e vërtetë, ju jeni flamuri”. Sot Rama i veshur me të zeza pa të kuqe, u mori një dhuratë që ua kishte dhënë atyre po vetë. Si t’ua shpjegojë 17-vjeçari Mitaj, që zgjodhi Shqipërinë dhe jo Greqinë, kur nesër do ta pyesin në Athinë:

“Po nëse shkon në Botëror, do të ta heqin pasaportën që sapo ta dhanë?” Mitaj që s’e di historinë e nuses dhe mullixhiut, do të ngrejë supet dhe teksa grekët do t’i kujtojnë se çfarë nderi i bënë Pirro Dhimës kur me Greqinë fitoi medaljen e parë olimpike, do të pyesë lart e poshtë: Po mullixhiu kush është?!

PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"