Volejbolli, në nivel amatoresk

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Gusht 4, 2018 | 20:45

Volejbolli, në nivel amatoresk

GJERGJ VYSHKA

Kam tri ditë që komentoj Kampionatin Europian të Volejbollit të moshës deri në 19 vjeç. Sigurisht që nuk surprizohem nga humbjet 0-3, sepse kundërshtarët janë në një nivel më të lartë se ne. Kundërshtarë me emra e tradita, kundërshtarë që punojnë sot për nesër e jo sot për sot. Po ne? Mirë të tjerat, por jemi amatorë sepse nuk dimë të rrotullohemi në fushë, katër herë jemi ndëshkuar ndaj Bjellorusisë për vendosje të gabuar. E kjo na bën amator jo nga halli, por nga dembelizmi.

volejboll femra u 19

Efektet e shthurjes totale të sportit sot e 28 vjet demokraci po i marrim sot. Sepse nuk bëhesh lojtare me një orë stërvitje në ditë. Nuk bëhesh lojtare me pasim te muri, me stërvitje në gjysmëfushë apo më keq akoma punë e stërvitje bashkë. Në kombëtaren e të rejave nuk bëjnë diferencën as ato që vijnë nga ekipe të para. Që do të thotë se në rrethe, por dhe në Tiranë ka humbur sensi klub, llogaridhënia dhe vullneti për të punuar. Klube me erën që fryn nga çdo krah politik nuk sjellin gjë tjetër, por shfarosje të sportit.

Kampionate pa nivel sjellin këtë produkt që shohim në kombëtaren U-19 e që nuk japin asnjë shpresë për vazhdimësi. Sot nuk gjejmë dot një Alketa Doçi, nuk gjejmë dot një Amarilda dhe Arjola Prenga, nuk gjejmë dot një Esmeralda dhe Malvina Tuci. Por nuk gjejmë as Klejda Shkurti, Borana Begiç e Xhozafa Sejfullai. U zbuluan ngaqë kishte pasion në stërvitje. E më keq akoma do të kemi shumë vështirë të gjejmë një Erblira Bici. Produkti është i atillë, të rriturat katër ndeshje, katër humbje 0-12 setavarazhi.

Të rejat tri ndeshje, tri humbje 0-9 setavarazhi. Për sa kohë do të vazhdojmë të bëjmë sport për politikën me klube që forcohen në prag zgjedhjesh Bashkie, atëherë s’kemi gjë në vijë, ndërsa volejbolli do të jetë përsëri amator dhe produkt i pashitshëm. E ky është një alarm që duhet t’i vërë të gjithë në lëvizje. Trajnerët në radhë të parë. Sot duhet një aksion kombëtar për ngritjen e sportit në nivele të mëdha. Kush ka veshë të dëgjojë, kush ka sy të shikojë…

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"