Zoti nuk është me Maqedoninë kur përballet me Shqipërinë…

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Shtator 7, 2017 | 19:01

Zoti nuk është me Maqedoninë kur përballet me Shqipërinë…

GËZIM SINEMATI 

Gezim SinematiNëse do të besonim se ekziston perëndia e futbollit, në dy ndeshjet me Maqedoninë ka qenë vullneti i saj që i ka dhënë më shumë peshë fatit, sesa logjikës dhe arsyes. Të mësuar që meritat t’i gjejmë në tokë dhe jo në qiell, kur i mundëm herën e parë maqedonasit, ca kujtuan se edhe shiu që ndërpreu një ndeshje të humbur, ishte pjesë e skemës së De Biazit.

Edhe tani në ndeshjen e dytë, ku paketa e “magjisë italiane” vazhdoi me Panuçin, ka zëra që thonë se ndërhyrja kristiane e Panuçit në pjesën e dytë te ndërrimet, e shpëtuan lojën, e cila po shkonte në buzë të greminës. Sa frikë kur e kujton edhe tani, ngaqë na privuan nga topi dhe nga loja dhe këtë nuk e çmonim dot si shovinizëm.

Ndaj, kemi shumë arsye që Strumicës t’i gëzohemi si fitues edhe pse “vodhëm” vetëm 1 pikë, sidomos kur kujton se vendasit bekuan UEFA-n, sapo i lejuan të luanin në një stadium të trukuar brenda natës. Aty ku golat dhe thirrjet mesjetare do të zbulonin se ky qytet ishte përzgjedhur jo për të populluar lojën, siç predikuan nga UEFA, por, ngaqë bënin hellin me njerëz, dhe jo me bagëti.

Ky është fati ironik i futbollit zyrtar ballkanik, për të cilin kujdesen edhe ndërkombëtarët, ku lufta të mbetet me gojë dhe jo me vepra si me Serbinë. Shqipëria erdhi, as nuk ishte në fushë dhe na mori pikën pa pikë turpi, komentojnë me mllef mediat maqedonase, duke qortuar futbollistët e tyre se nuk ishte ndeshja ideale kur futbollistët mund të përqafoheshin me palën tjetër… Në median tonë, ka festë për pikën, si zakonisht kemi gjetur edhe dy heronjtë e radhës, Panuçin, që në pjesën e dytë, tamam si me Lihtenshtejnin, i tha ekipit “mjaft fjetët” dhe portierin Berisha, të cilin e quajtën “djalli me fytyrë fëmije”.

lila ajeti berisha

Dhe kur heroi vjen nga porta, nuk është e vështirë të më- sosh se deklarata me germa të mëdha se po shkojmë në Strumicë t’i sulmojmë, madje t’u përlajmë edhe 3 pikët, paska qenë e gatshme, e fabrikuar, e harruar në sirtar nga trajneri De Biazi. Thuhet se është zakon italian kur trajneri premton lojë sulmuese publikisht, ndërsa futbollistëve u ka dhënë detyra mbrojtëse në fushë, por që ndihmohet shumë nga zakoni ynë i spikatur kur harrojmë vuajtjet e lojës, depresionin e fortë të pjesës së parë dhe kërcejmë pupthi si fitues, sapo marrim 1 pikë në fund…

* Artikull i shkruar për “Panorama Sport”. Ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi në print ose online.

 

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"