Vdekja troket për herë të dytë në qytetin ku lindi futbolli…

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Prill 23, 2018 | 21:54

Vdekja troket për herë të dytë në qytetin ku lindi futbolli…

GËZIM SINEMATI

sinemati

Janë thënë disa fjalë pas ndeshjes në Shkodër, pikërisht pas humbjes më të “pakuptimtë” të Vllaznisë, shkaktuar nga Luftëtari, të cilat kanë habitur ndoshta edhe më shumë se shthurja që u përjetua nga fusha. Fjalët e trajnerit Gjoka, për të shpjeguar këtë humbje, e cila u duk jo aq fatale për vetë futbollistët, kanë qenë si një atak tjetër për zemrën e lodhur të qytetit. E dëgjoje frazën dhe të dukej sikur ta bllokonte më shumë frymë- marrjen: “Ne ishim të paqartë, madje ishim të ngadaltë. Është faji im për mosmotivimin e duhur të ekipit dhe për mosrealizimin teorik të ndeshjes…”.

Ky qenka rasti tipik, kur gjithë “klasa” mbetet në klasë. Qoftë në praktikë, qoftë në teori. Edhe shkodrani më naiv, që është kalitur me pabesitë qe ofrojnë javët, kur ka dëgjuar këto fjalë, mund të ketë kruar veshët nga mosbesimi. Si ka mundësi që trajneri flet për mosmotivim të një ekipi, që ka si trofe, prej dy vitesh, shpëtimin nga turpi historik! Edhe një dashamirës modest ka arsye të pyesë me dyzim se cila është arsyeja që trajneri të “vetëvritet” me fajin që merr, u bën këtë nder të pamerituar futbollistëve, atyre që më shpejt e dorëzuan ndeshjen se sa e luajtën. Madje, në koifidencë, duke “habitur” edhe gjirokastritët me sjelljen e tyre…

Gjoka-falet

Dikur, trajnerët e vjetër, dhe tani brezi i ri që ka moshën e trajnerit Nesti Gjoka, na kanë më- suar përmendsh leksionin se në disa ndeshje nuk ka nevojë të flasë trajneri e as psikologu. Kur luhet për të shpëtuar kokën dhe jo lëkurën, fjalët janë të tepërta. Të gjithë e dinë se jeta vlen sa 90 minutat e ndeshjes. Çfarë mrekullie donin të dëgjonin nga trajneri i tyre futbollistët e Vllaznisë? Ata që u ndezën dhe u fikën shumë shpejt, siç ka ndodhur edhe herë të tjera, pa i shpëtuar shigjetës me helmin e humorit se “futbollistët tanë në pjesën e dytë duket sikur i zë bari i stadiumit!” Sido që të luhen kartat deri në fund të “pokerit” të Superligës, ka tifozë shkodranë që e quajnë “historik” edhe nëse fundi do të përngjasë me atë që u ka ndodhur kampionëve të tjerë si Dinamo, Partizani e Tirana.

Në një sistem ku luajnë shumë dhe fiton vetëm njëri dhe ai nuk luan në fushë, por gjetiu, ku e vërteta me top ka vdekur qysh në lindje, pse u dashka ta shohim si fundin e botës rënien poshtë të shkodranëve? Apo, mos Vllaznia ka ndonjë formulë tjetër shpëtimi, përveç fushës, nga ato magjirat që shpiken në zyrat kazino, ku hidhen zaret e fatit. Në qoftë kështu, në djall vaftë motivimi, i bekuar qoftë dallaveri zyrtar, që në fund të sezonit harbohet me paudhësitë që nuk shterojnë… Mjafton që fundi të jetë i ëmbël, si një vit më parë, kur disa shkodranë të armatosur me humor, bënin sikur hidheshin përpjetë nga gëzimi, harbonin si të lumtur, të dehur nga fundi me nder i kampionatit, duke thënë se në derën e qytetit, ku lindi futbolli, trokiti vdekja, por nuk ia hapëm… derën.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"