Trukohet edhe komploti ndaj Panuçit, kur s’ka emra, ka… tymnajë

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Tetor 10, 2018 | 21:20

Trukohet edhe komploti ndaj Panuçit, kur s’ka emra, ka… tymnajë

GËZIM SINEMATI

Diku duhet të jetë një buton që ka shenjën e shqiponjës, që kur shtypet për mirë na dërgon në qiellin e shtatë, ndërsa kur shtypet për keq, ka si qëllim të na fusë në tokë… shtatë pashë. Në kohën e delirit pa kufi, atëherë kur lodronim me historinë në finalet e Europianit, u fabrikua me sukses ideja se Kombëtarja kuqezi është familja model për nga harmonia, familja të cilën duhet ta kopjonin gjithë shqiptarët nëse donin të shtonin dozën e lumturisë.

sinematiii

Në kohën e Panuçit, Kombëtarja jo vetëm që nuk është e lumtur, por kërkon të imponohet përsëri, këtë herë me misionin kontrovers për të na kthyer në kohën kur jeta ishte si një lojë e mbushur me tradhti… Në një kohë kur zbulimi i komploteve dhe puçeve na bënin më të fortë se… kurrë! Kështu pritet të ndodhë edhe te Kombëtarja, edhe pse u treguam mosbesues kur vetë presidenti Duka paralajmëroi se diku, ndofta edhe në zemër të oborrit të tij, disa “rebelë” po komplotonin kundër…familjes kuqezi.

Cilët ishin me emra? Çfarë ligësie bënin pas shpine? Pse donin ta largonin Panuçin? Këto pyetje, çuditërisht, nuk morën përgjigje as nga goja e të madhit, mjaft që u vërtetua proverbi i tij se “më shumë frikë kam nga miqtë… sesa nga armiqtë”. Thonë se edhe në lojën e futbollit, tamam si në lojën tinzare të politikës, kur pakënaqësia më e madhe vërtitet rreth besimit dhe më pak te rezultatet, është momenti ideal për të shpikur komplote, ndofta edhe pa emra.

Duka dhe Panuci

Nga ato që tundin themelet e të voglit, trajnerit, se po të ishte fjala për të madhin, “toga e pushkatimit”, në këto momente, do të kishte mbaruar punë me komplotistët. Kjo është arsyeja që shumë veta thonë se ky komplot me të shtëna në ajër do të zgjasë shumë, do të jetë si një lojë me shtesë, dhe trajnerin Panuçi do ta shohim përsëri në rolin e italianit që u bërtet para fytyrës shqiptarëve, sidomos atyre që ushtrojnë artin e tradhtisë. Mos më merrni për budalla, thotë trajneri në mënyrë kristiane, duke na e falur ne rolin e budallait kur eksperimenti i tij në Kombëtare është i vetmi “komplot” që ka emër…

Ky artikull është ekskluzivisht për Panorama Sport. Riprodhimi i tij nga media të tjera në mënyrë të pjesshme ose të plotë pa lejen e kompanisë do të ndiqet në rrugë ligjore.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"