Stadiumi “Air Albania” më i bukuri në Ballkan, edhe gropat i ka “më të bukurat”!

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga bota e sportit

Postuar: Shkurt 20, 2020 | 18:38

Kategoria Superiore Lajmi i fundit Opinion

Stadiumi “Air Albania” më i bukuri në Ballkan, edhe gropat i ka “më të bukurat”!

GËZIM SINEMATI 

Sinemati

Ndërsa mbrojtësit e Skënderbeut kishin për detyrë të ndalonin shpërthimet plot forcë dhe prepotencë të sulmuesit madhosh të Tiranës, Ngo, punonjësit e stadiumit të ri, ose më mirë mirëmbajtësit e fushës, e “markonin” me sy, me shumë frikë sulmuesin një kuintal, i cili kur peshonte tërë trupin në gjysmën e lodhur të fushës, dukej sikur po i bënte gropën asaj. Asaj fushe që dukej si zonjë e bukur… vetëm po të mos e shkelësh!

Pale kur kujton ditën e inaugurimit, kur thuhej se në “Air Albania”, tifozët do të çarmatoseshin nga një zakon i vjetër: s’do të hanin më fara! Tani pyetja bëhet ndryshe: po farën e barit të fushës së këtij stadiumi, pse u lejuaka që ta “hamë?!” Duket si një mallkim, sepse ndodhi tamam me një stadium që vazhdon të krekoset se në Ballkan ka kullën më të lartë, kurse nga ana tjetër, turpërohet nga gjëja e fundit… fusha!

Fusha Air Albania

Dhe më e bukura, futbollistët kanë frikë të ankohen, sepse sipas “rregullores” ata vetëm duhet të mrekullohen, duhet të bekojnë fatin edhe kur u zhytet këmba thellë në fushë. Aq thellë, sa duket sikur prekin tokën e të parëve…Qemal Stafën. Mos vallë është menduar se fusha e keqe mund të jetë si hudhër për një stadium që mbahet me të madhe, sikur ka ndryshuar historinë tonë po e po, por edhe të Ballkanit.

Edhe “doktorët” e barit nuk japin më shpresë jete, madje ndahen mes tyre për diagnozën. Ka lloj-lloj shpjegimesh “shkencore” ku dëgjon të flitet për overdozë lagështire apo që dielli, ndryshe nga bamirësia që bënte me “Qemal Stafën”, nuk dërgon rreze në një gjysmë fushe në “Arena”. Dhe meqë fusha po lëngon në një kohë rekord, o burra t’ia marrim shpirtin me ndeshje Superlige, madje dhe femrash. Në fillim na futën frikën se stadiumin do ta ruanin si sytë e ballit, do të luhej rrallë e për mall, tani duket sikur kanë harruar portat hapur!

Air Albania

Saqë në ndeshjen e fundit, Tirana- Skënderbeu, frika më e madhe nuk vinte nga loja, por nga pesha e Ngosë (shyqyr që nuk ka shumë si ai), ndërsa sulmuesi i Skënderbeut, Bregu, shfaqej si një etalon për fushën, me pak peshë dhe më shumë rrëshqitës, aq sa nuk arrinte dot procesin e plugimit. Dhe, sa herë që nga fusha shkëputej ndonjë llokmë e bëshme fushe, na kujtohej ajo gënjeshtra e pakufi në inaugurim: “Janë të bekuar nga fati të gjithë futbollistët që do të shkelin fushën e “Arenës”. Që kanë fat e dimë të gjithë, por futbollistët kanë frikë ta pranojnë se nuk është i bardhë…

* Shënim: Artikull ekskluzivisht për “Panorama Sport”. Ndalohet kopjimi dhe riprodhimi pa lejen e kompanisë.

 




Për t’u bërë pjesë e grupit të "Panorama Sport" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet.
KOMUNITETI PANORAMA SPORT: https://www.facebook.com/groups/sportionline/

www.minuta90.com