Sistemi që ha “koka historike” vuri në gjumë edhe… Vllazninë!

Panorama Sport | Gazeta me e shitur sportive ne vend

Postuar: Maj 25, 2018 | 21:06

Sistemi që ha “koka historike” vuri në gjumë edhe… Vllazninë!

GËZIM SINEMATI

sinemati

“Unë isha aty, mes 5 golave që bëmë bashkë në portën e Skënderbeut, por të keqen gjejeni te Partizani!” Nuk u thanë nga goja këto fjalë, sepse ka raste që flet gjuha e trupit. Kur presidenti Duka ka zbritur për të dhënë medaljet, i ka parë futbollistët shkodranë me një “keqardhje prindërore”, me një shikim që e njohin vetëm bashkëvuajtësit e tjerë historikë, të tradhtuarit e luksit, Tirana, Partizani apo Dinamo.

Vucaj

Vllaznia e pësoi dhe kjo nuk është më pjellë e fantazisë apo e dashakeqësisë parashikuese. Kemi humbur Vllazninë, më shumë qytetin joshës, ku futbolli ishte mënyra për të treguar krenarinë, lodrimin pa kufij me top dhe artin për të qenë të dashur dhe të simpatizuar nga të gjithë. Ky brez i fundit i klubit, ata që i dhanë shkelmin historisë, do të kujtohen me damkë dhe për depresionin moral që shkaktuan, për një arsye parimore: tradhtoi brezat që kishin talent në këmbë, në gjuhë, dhe në shpirt.

Ishin shumë Sabah Biza, sa kudo që shkonin, në çdo stadium të vendit, priteshin si një shans dhe mundësi për dëfrim. Sa turp për këta të sotmit! Ndërsa bënin sikur luanin në fushë, mendjen e kishin pasur tek arka e bashkisë, atje ku u përqendrua gjithë talenti dhe babëzia, duke thyer edhe dyert e “Ginesit” shqiptar, aq sa dështimi u ngjit në lartësinë e frikshme të… 1,2 miliardë lekë. Por, futbolli shkodran, ai unikali, që ishte lozonjar po aq sa humori shpotitës, nuk blihet me parà, ndaj pengu më i madh, nuk mbetet te… dora që u parkua në xhepin e qytetit.

Kjo Vllaznia, ky klub, kjo bashki, dështuan me turp se nuk vazhduan lojën e pastër të të parëve, atë që të gjunjëzonte me elegancë në fushë, madje duke qeshur, por kujtuan se në “kohët moderne”, ku futbolli nuk i përket publikut, por shefave, mund të mbijetonin duke bërë një lojë tjetër. Të përulur ndaj pokerit të FSHF-së dhe skemës piramidale, të bindur verbërisht se ky sistem që mbahet në këmbë duke kullufitur “koka historike”, vetëm Vllazninë nuk do ta flakte…






www.minuta90.com