Sa i pabesë Panuçi, e paska harruar dorën te portofoli i “babuçit”

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Dhjetor 23, 2019 | 19:04

Sa i pabesë Panuçi, e paska harruar dorën te portofoli i “babuçit”

GËZIM SINEMATI

gezim sinemati

Ç’është kjo hata e Panuçit? Edhe pse ka kohë që ka ikur, dorën na e ka ngecur si kujtim në portofolin e presidentit tonë. Ish-trajneri italian, ai që zakonisht e pagëzonin si “nxënësi” që nuk i mësoi dot leksionet në stolin kuqezi, duket se ka njohuri si një mësues… në lojën financiare.

Ish-trajneri Kristian, të cilin e tradhtuam siç i ka hije vetëm Kombëtares në ndeshjen me Turqinë, pretendon 56 mijë euro bonuse nga fitoret dhe barazimet që kishte arritur me Kombëtaren.

Ne nuk dimë shumë gjëra, por kjo shumë që na tingëllon si gjobë, mund të jetë “bonus” edhe për ndeshjen e fundit në Shkodër, ku për çdo tradhti të futbollistëve tanë në fushë, të orkestruar me zotësi nga “babuçi i Panuçit”, gëzonte edhe trajneri Edi Reja, veterani që priste me valixhe në dorë për të marrë stolin… edhe në këtë mënyrë.

panuci duka

E thoshin dhe e thonë të gjithë se Panuçi ishte më i keqi që kemi provuar apo “kungulli” më i pabërë që presidenti Duka na shërbeu në tavolinën kuqezi. Por, italiani, ai që nuk u shqua dot në fushë, paska një meritë që nuk e pikasëm të gjithë.

Edhe pse ka kohë që ka ikur dhe, sipas zakonit, na duket sikur kemi bërë paqe me harresën, Kristian Panuçi tregohet me shumë talent që e sulmon presidentin Duka mu në zemër të lodrës… te paratë! Tek ato, për të cilat gjumi i prishet më gjatë, sesa kur humbet pa lavdi një cikël ndeshjesh!

Në këto momente krize, kur edhe stadiumi “Arena” nuk është kaq i bukur sa duket, sidomos kur e shikon me syrin e pronarëve apo ato zyrat e stërmëdha të FSHFsë, për të cilat thuhet se emrin e kanë zyra, sepse do të kushtojnë sa një stadium, 56 mijë euro nuk janë një qime për ata që pasurohen duke varfëruar futbollin…

* Shënim: Artikull ekskluzivisht për “Panorama Sport”. Ndalohet kopjimi dhe riprodhimi pa lejen e kompanisë.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"