Rrofshin presidentët, poshtë trajnerët!

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Dhjetor 17, 2019 | 21:38

Rrofshin presidentët, poshtë trajnerët!

GËZIM SINEMATI

Sinemati

Italiani i madh, Arrigo Saki, ka thënë se futbolli është gjëja më e rëndësishme midis gjërave të parëndësishme. Si do të përkthehej në “shqipen e futbollit” kjo shprehje e madhe? Apo, më troç, po të kishim edhe ne një Saki, çfarë do të thoshte për rëndësinë e trajnerit, për lojën tonë të pasur nga pabesitë? Fraza do të ishte e hidhur, por tejet e vërtetë:

“Trajnerët janë gjëja më me pak rëndësi, në një futboll të parëndësishëm, ku rëndësia e vetme mbeten presidentët”. Dhe ajo që ka ndodhur në Elbasan, m’u në zemër të stadiumit “Arena”, përgjatë ndeshjes Kukësi-Teuta, duket si zbulimi i “Gralit të shenjtë”, sekretit të madh, për të cilin mbajmë ende gjallë lojën. Në një stadium të zbrazur frikshëm nga tifozët, por edhe në një javë të zbrazur nga 3 trajnerët e shkarkuar, kishte vetëm një tribunë të mbushur… ajo me presidentë.

Trajneret

Si për të thënë se stadiumi nuk është krejt i vdekur, por ka jetë. Dhe loja është ndërtuar në një mënyrë të tillë, sa duket sikur kemi vjedhur rregullin e “Big Brother”, ku çdo javë të varfrit eliminohen dhe mbeten vetëm të pasurit në stadium… Ky është momenti fatlum për të thirrur pa mëdyshje “Rrofshin presidentët, poshtë trajnerët!”

Kjo javë mund të pagëzohet si “vdekja klinike” për të gjithë trajnerët, të shkarkuar dhe të ngarkuar qofshin, si java e “orgazmës” për presidentët, kur tre “heronj të heshtur” u flakën nga stoli, si për të thënë se viktimat nuk shterojnë. Heronj pa pendesë, nga ata që të kujtojnë skllevërit e piramidave të famshme të Egjiptit, që u kishin prerë gjuhën për të ruajtur sekretin. Më shumë se një rekord fatal, largimi i 3 trajnerëve brenda 90 minutave është një funeral i bujshëm për Shoqatën e Trajnerëve, atë që jeton më gjatë, kur trajnerët “vriten” me shumicë.

mledhja duka presidentet

Po cilët ishin viktimat e paracaktuara? Lerda, njeriu i stolit të Partizanit, ai që befasoi edhe trajnerët më të nënshtruar të racës sonë… me shprehjen e artë: “Nuk do të hedh asnjë hap, pa pyetur drejtorin Olsi Rama”, ka ikur duke marrë me vete barrën e një antipatie kampione, që nuk e kishin provuar italianët e tjerë.

Kurse për largimin e Bledi Shkëmbit, që u përcoll me një breshëri golash nga Kukësi, përveç futbollistëve të tij, dhanë një dorë edhe arbitrat, kur pikën e bardhë të penalltisë e shndërruan në pikën e… ferrit. I fundit, trajneri grek i Luftëtarit, ai që duket sikur na e kishte borxh shkarkimin, paska lënë një pusullë para ikjes: “E dini cili është momenti që ju gëzon më shumë? Kur shkarkoni trajnerin…”.

PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"