Pse zoti Rama i tha Dukës: Ta bëj unë skemën me Francën

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Nëntor 23, 2019 | 20:52

Pse zoti Rama i tha Dukës: Ta bëj unë skemën me Francën

GËZIM SINEMATI

gezim sinemati

Në prag të ndeshjes me Francën, kryeministri Rama i ka thënë me humor presidentit Duka: “Ma lini mua ta bëj skemën kundër Francës”.

Duket si një batutë midis të madhit të politikës me të madhin e futbollit, por ata që dinë se si funksionon skema në sistemin kuqezi, me siguri nuk e kanë vënë buzën në gaz. Madje, ky dialog, i cili pati si dëshmitarë të gjithë futbollistët e Kombëtares, se pse na kujton një histori e cila i reziston çdo kohe. Një trajner, jo pak i njohur në futbollin tonë, para një ndeshjeje, nga ato që ne i pagëzojmë si “ndeshje jete”, i ishte lutur presidentit që ta linte të lirë për të bërë formacionin, duke i garantuar fitoren.

duka rama reja

Presidenti ishte hipnotizuar nga zelli i trajnerit dhe një zot e di se si nuk i futi duart në formacion, për herë të parë në jetën e tij. Kur ndeshja u humb dhe trajneri ra në gjunjë si fajtor, presidenti ia preu shkurt: “Mos guxo më të kërkosh ndere të tilla!” Kjo histori, plus batuta pickuese e zotit Rama, të diktojnë një pyetje pothuajse të ndaluar: Po presidenti ynë fuqiplotë, zoti Duka, për të cilin thuhet se zotëron shkopin magjik, sa topi ka marrë formën e vezës, a merret me gjëra “të vogla” si skema e lojës apo ajo e… nënlojës?

Për shembull, atë ditë me Andorrën, cili trajner, ai sipër apo ai poshtë në stol, u dha leje futbollistëve tanë që të shkreheshin, të dezertonin pa iu dredhur qerpiku përgjatë 90 minutave dhe, kur të shpjegonin tulatjen e tyre para mikrofonit, të “këndonin” bashkërisht, si një orkestër e keqe: “E kishim mendjen te Franca”. Dhe për dreq, kur na u shfaq Franca pas 3 ditësh, e kishin mendjen… te stadiumi “Arena”.

“Shqiponjat” e lodhura, siç i quante media franceze, aq të shqetësuar ishin për fushën delikate dhe të virgjër, sa në disa momente, në vend të gjurmonin Grizmanin, arnonin plisat që u shqitën nga tabani. Apo, ajo “skema” në ndeshjen e parë me Francën. A mund të pranohet se Edi Reja, trajneri që erdhi me peshën e përvojës së 1000 ndeshjeve në Serinë A, të lajthisë aq ndjeshëm, sa lojtarin më pikant të Kombëtares, Odise Roshin, ta çmontonte nga sulmi për të cilin ka lindur dhe ta vendoste në mbrojtje për të marrë gjithë peshën e humbjes.

Atë natë, të “dy trajnerët”, edhe ai që futi në epruvetë lojën, edhe ai që kontrollon eksperimentet në laboratorin kuqezi, dolën të fituar se… askush nuk e pati mendjen te ngatërrimi i skemës, ngaqë francezët na “sulmuan” himnin…

* Shënim: Artikull ekskluzivisht për “Panorama Sport”. Ndalohet kopjimi dhe riprodhimi pa lejen e kompanisë.

 

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"