Pse Tirana kur luan me Skënderbeun, na kujton “Sindromin e Stokholmit”…

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Shtator 25, 2018 | 21:17

Pse Tirana kur luan me Skënderbeun, na kujton “Sindromin e Stokholmit”…

GËZIM SINEMATI

sinemati

Sa herë që Tirana luan me Skënderbeun, sepse na kujtohen ato filmat e hershëm në kinema, kur dikush nga padurimi thërriste me zë: “Tani del i keqi dhe do ta vrasë të mirin…”. Ai i keqi, në rastin e filmit të riparë për të disatën herë Skënderbeu-Tirana, është njeriu i veshur me të zeza. Arbitri që prej vitesh ka pamjen e ndëshkuesit, të atij ndëshkuesi që mezi e priste viktimën të ngjitej në Superiore nga ferri ku ishte.

kuka gjyqtari skenderbeu tirana

Cili arbitër ishte fantazma e radhës për ekipin me durim spartan, që e përballon me sukses dënimin e padrejtë dhe nuk rrëfehet dot nga frika? Siç guxon të thotë një futbollist i Tiranës, pasi ka miksuar një batutë të një filmi se “Tiranën kur kalendari e dërgon para Skënderbeut, e rrahin dhe nuk e lënë të qajë”.

Një frazë që tingëllon binjake me deklaratën shpuese të Sulejman Starovës: “Tirana as nuk flet dot, e kuptoni apo jo? Kishte kohë që nuk gabohej kështu nga arbitrat…” Sa herë që Tirana përfundon me dhimbje ndeshjen me Skënderbeun, po t’i shikosh trupin pas 90 minutave, i bëhet si fanella e vet klasike vija-vija nga tortura e bilbilit. Por, ka një “meritë” se mbetet një viktimë e zellshme, e cila edhe pse e di se do të keqpërdoret nga njeriu me të zeza, as nuk e tregon dhimbjen, as nuk ankohet që ta dëgjojnë të tjerët. Përse kaq e përulur dhe e frikësuar Tirana presidentit Halili?

Ata që justifikojnë “kamzhikun” zyrtar ndaj klubit, të atij klubi që dikur e njihte veten si rebel ndaj diktaturës, thonë se në ditët e vështira, FSHF dhe pronari i saj, e mbajnë me “bukë” viktimën e tyre. Dhe ky marifet, gjoja bamirës, ka bërë që të besohet edhe versioni se Tirana e marrë peng nga FSHF po përjeton sindromin e Stokholmit, kur viktima bie në dashuri me pengmarrësin, pa u bërë merak se ka humbur prej kohësh lirinë…

Ky artikull është ekskluzivisht për Panorama Sport. Riprodhimi i tij nga media të tjera në mënyrë të pjesshme ose të plotë pa lejen e kompanisë do të ndiqet në rrugë ligjore.

 

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"