Përse trajnerët kampionë kundër Kolës? Ngaqë nuk është president…

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Gusht 25, 2018 | 21:14

Përse trajnerët kampionë kundër Kolës? Ngaqë nuk është president…

GËZIM SINEMATI

sinematiii

Trajnerët janë hedhur kundër Agustin Kolës për fjalët e hidhura, të vërteta, por që veshët tanë nuk janë mësuar t’i dëgjojnë aq sfidueshëm. Sidomos veshët e trajnerit fitues, që mund durojnë frazën arrogante të presidentëve se “titullin e fitoj unë me skemën time, pastaj janë futbollistët dhe në fund vjen trajneri”. Kola nuk është president, edhe pse flet me një ton aspak inferior, madje jetik për mjedisin tonë. Çfarë tha Kola që trazoi kaq keq shpirtin e trajnerëve fitues të kampionatit, Josa dhe Gjoka? Fraza të shpon thellë, madje edhe kur nuk je trajner: “Trajnerët tanë një herë dalin kampion dhe një herë i shikon duke përcjellë ekipin një kategori më poshtë…”.

Josa-Kola

Gjoka ka zgjedhur ironinë me “mjaltë” për të reaguar: “Agustini duhet dëgjuar me kujdes…”. Ndërsa Josa nuk është merakosur sesi mund të ndizet kjo lojë polemikash: “Kola merret me punët e të tjerëve…” Kola dhe Josa, kur ishin në fushë, të “punësuar” si futbollistë, i takonin atij brezi që luanin më shumë në fushë, flisnin më pak dhe ajo që nuk harrohet lehtë është se topi i futbollit në atë kohë nuk kishte qoshe dhe stadiumet “vdisnin” nga popullimi dhe jo nga heshtja. Në kohën e futbollit që përçan brezat, të atij futbolli që antivlerën e trukon për vlerë, Kola dhe Josa ndodhen në krahët e kundërt të një beteje, që fitohet nga eprorët.

Po cila do të ishte formula magjike në këtë rast pas akuzës kampione të Kolës? Trajnerët të mbyllnin gojën dhe të linin që t’i nëpërkëmbeshin titujt apo të përballeshin me një “rebel pa frena” si ish-sulmuesi bardheblu. Po t’i kishte dëgjuar De Biazi këto përdhosje trajnerësh, këto akuza të forta që shpërfillin punën e trajnerit, sado nën sundimin e presidentëve, me siguri do të kishte zgjedhur heshtjen si armë. Kur shkuam në Europian, veshët e De Biazit, madje më shumë shpirti i tij, ka duruar më të madhen akuzë që mund t’i ndodhë një trajneri, kur vetë zyrtarët e tij dilnin në ekrane dhe pa pikën e turpit deklaronin se njeriu që na parashutoi në Europian është presidenti dhe aspak trajneri Xhani De Biazi… Ndryshe nga ne, zëri i De Biazit u dëgjua vetëm pas ndeshjeve në Francë, atje ku pushteti i lojës kaloi përsëri te trajneri, duke e injoruar disi… “magjinë” e shefit.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"