Panuçi “dogji” autobusin e De Biazit, por jo listat plot me “talente”

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Maj 23, 2018 | 22:16

Panuçi “dogji” autobusin e De Biazit, por jo listat plot me “talente”

GËZIM SINEMATI

sinemati

A e mbani mend “betimin” e trajnerit të Kombëtares, Panuçi në ditët e para kuqezi, sapo kishte zënë poltronin e bashkëpatriotit të tij, De Biazi. Nuk mund të harrohet fraza e tij sfiduese, sidomos për të dashurit e Xhanit: “Nuk do të jem imitues i De Biazit, madje do të mundohem t’i bëj ndryshe gjërat… “. Dhe puna e parë që bëri apo me të cilën do të vërtetonte se kishte të drejtë kristiane, ishte “djegia” e autobusit para portës.

Kombetarja-ndeshja-miqesore-me-Norvegjine

“Ekipi nuk do të parkohet më para portës sonë, por do të parkojmë te porta kundërshtare… me lojë sulmuese”. Dhe nëse kërkon të largohesh nga kurthi i fjalëve, të mbetesh te veprat në fushë, duket se Panuçi është njeriu që na dikton të nxjerrim lepurin e frikës nga barku, e shtyn ekipin më lart portës, pa pasur shumë merak se në mbrojtje shtohet pasiguria. Në një ekip që është mësuar t’i flakë humbjet më shpejt sa duhet në koshin e harresës, ky stil loje, pra panuçizmi kuqezi, shijohet me frikë, ngaqë loja del nga shinat klasike.

Ka një mal me ndryshime mes dy italianëve të fundit në stolin tonë, por ajo që i bashkon është krejtësisht italiane. Për Xhanin thoshin se iku duke vendosur një rekord, për sa u përket futbollistëve që zbulonte dhe grumbullonte për ndeshjet miqësore, pa e ditur se rekordit të tij do t’i tunden themelet me ritmet e pasuesit të tij. Po të shikoni vetëm listën e fundit, atë për ndeshjen miqësore me Kosovën dhe Ukrainën, ata që thirren si talente dhe ata që shpërfillen pa talent nga lista, pritet të ndizet edhe më shumë gara, e cila po shndërrohet në patologji, ku një shumicë ikin pa shpjegime dhe një shumicë tjetër… pasurojnë hartën e emrave.

Le të japim disa emra: Armando Sadiku, Ledian Memushaj, Azdren Llullaku, Taulant Xhaka, Amir Abrashi, Andi Lila, Ansi Agolli, Burim Kukeli dhe Naser Aliji. Këta “senatorë”, nëse mund të quhen të tillë, nuk janë grumbulluar për këto dy ndeshje. Pyetja e parë që të tundon: si ka mundësi që trajnerët ndërrohen, kurse sëmundja për të rritur trafikun e emrave në Kombëtare theksohet edhe më shumë? Panuçi vazhdon të betohet se në listat e tij nuk mund të fusë hundët, qoftë i madhi fare, e as më i vogli i menaxherëve, duke pozuar si një trajner që ka fituar lirinë. Ndofta edhe më shumë se De Biazi. Dhe në futbollin e sotëm, atë të mbytur nga profkat e pabesisë, kur trajneri i Kombëtares është edhe debutues, falja për gabimet që bëhen, është më shumë… kristiane!

Ky artikull është ekskluzivisht për “Panorama Sport”. Riprodhimi i tij nga media të tjera në mënyrë të pjesshme ose të plotë pa lejen e kompanisë do të ndiqet në rrugë ligjore.

 

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"