O Zot i futbollit, pse ka dy Skënderbe? Një për Laçin, tjetër për Flamurtarin…

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Nëntor 13, 2018 | 22:49

O Zot i futbollit, pse ka dy Skënderbe? Një për Laçin, tjetër për Flamurtarin…

GËZIM SINEMATI

sinemati

Nëse ka një ekip që meriton notë të lartë në lëndën demokratike të futbollit “mjeshtëri aktori”, nuk ka dyshim se ky është Skënderbeu. Tjetër ekip me Laçin në mesjavë, i lodhur, gati i dorëzuar, me një lojë pa busullën e saj tipike, me një fjalë e përgatitur psikologjikisht për një humbje të justifikuar. Por, 3 ditë më pas, ekipi u “çlodh”, hoqi maskën e përgjumjes dhe ndaj Flamurtarit nuk pati më gjeste bamirësie.

laci skenderbeut

Ky është “bio”-futbolli i Superiores, lojë që trashëgon dhe forcon veset, lojë e mbushur me maska që e mban të ndezur halluinin me top deri në fund të sezonit. Jemi aq të mësuar me tradhtitë që frymëzojnë ndeshjet e javës, sa askush nuk lodhet për të bërë krahasimin “shkencor” midis Skënderbeut të “vdekur” që luajti me Laçin dhe Skënderbeut shumë të gjallë që nuk fali deri në fund me Flamurtarin… për shkak të karakterit… fitues!

Të gjithë e dinë, janë mësuar aq shumë me sjelljen e paqëndrueshme të kampionëve ndaj ekipeve, sa askush nuk denjon për të qortuar këtë sjellje hileqare, e cila ndryshon ngjyrë në bazë të kundërshtarit. Edhe kur e pyetën trajnerin Daja, jo për stilin kameleon të ish-ekipit të tij, por për golin e anuluar në dëm të Flamurtarit, ai i ra nga Kina: “Arbitrat e ndalojnë lojën 100 herë me bilbil…”.

Ai e di mirë, më mirë se shumë trajnerë të Superiores, se bilbili i arbitrit është shumë i vogël për të molepsur lojën e madhe, sepse ka një bilbil tjetër që komandon atë të fushës, ku sipas muzikës së të cilit ndahen dhe rolet e javës për fituesit dhe humbësit…

Ky artikull është ekskluzivisht për Panorama Sport. Riprodhimi i tij nga media të tjera në mënyrë të pjesshme ose të plotë pa lejen e kompanisë do të ndiqet në rrugë ligjore.

 

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"