Në “autobusin” e Superligës… të gjithë duan të ulen në vendin e parë!

Panorama Sport | Gazeta me e madhe sportive ne vend

Postuar: Tetor 8, 2019 | 21:44


Në “autobusin” e Superligës… të gjithë duan të ulen në vendin e parë!

GËZIM SINEMATI

Sinemati

Ç’është kjo hata që po ndodh në Superligë? Dikush kujton shprehjen e famshme të gjyshërve tanë: “Po ngrihen këmbët e po i bien kokës”, ngaqë nuk besohej se ekipet që erdhën nga poshtë, Bylisi dhe Vllaznia, do të turpëronin edhe elitën e kampionatit, ata që zakonisht nisen nga lart.

Ka të tjerë, kuptohet, të frymëzuar edhe nga porositë e oborrit, të cilët kanë nisur tam-tamet dhe po godasin kambanat se ky kampionat, edhe në mos qoftë më i bukuri i viteve të fundit, do të jetë më i çmenduri. Duket si patologji e gjetur, kur ngjarjet e fushës shpesh na kujtojnë pavijonin e spitalit, si për të thënë se kjo lojë është zbrazur nga publiku, por jo nga dhuna. Edhe pse stadiumet nuk merren vesh nëse janë më shumë të boshatisur apo të dënuar, na ngushëllon ideja se janë shifrat që na “mbushin” stadiumet.

flamurtari tirana

Dhe harbimi ka një arsye: 7 ekipe kryesuese që ndahen me 2 pikë kanë hipur mu në çatinë e garës së kampionatit, të një kampionati që trazon aq frikshëm vlerat, sa çdokush mund të krekoset për të dalë kampion… edhe pa iu dridhur qerpiku. Dikur tregonin me romuze se vlonjatët, kur hipnin në autobus, lakmonin që të ishin të gjithë në vendin e parë, tani është Superliga, e cila ka vetëm 10 pasagjerë në autobusin e saj, midis të cilëve nuk gjendet askush që do të ulet në vendin e fundit.

Të gjithë duan në fillim, aq të dëshiruar për titullin… sa mund t’i zënë vendin edhe shoferit. Ndaj, kur thuhet se ky kampionat do të jetë i çmendur, sipas gjuhës së koduar të shefave, do të thotë se nuk do ta gjejmë dot qysh në fillim, ashtu si një vit më parë, se cili ekip do të shpallet kampion. Madje, edhe javët e para na kanë treguar se këtë herë nuk do të ketë magjistar të dytë, përveç atij që e njohim të gjithë, që të na zbulojë të vërtetën e madhe të një loje plot me gënjeshtra.

Një lojë e trazuar me marifet, ku i madhi bëhet i vogël dhe i vogli të duket i madh. Shembujt janë intrigues. Partizani kampion, deri para derbit, po numëronte orët e mbetura të trajnerit Lerda. Kurse Kukësi, oazi i emrave dhe i rrogave joshëse, startoi duke u vetëshpallur kampion, kur sapo filloi loja në fushë, sidomos futbollistët, u shfaqën si kampionë të dezertimit.

Po Tirana ç’pati? Kush ia mbushi mendjen (apo është pjesë e skenarit të kampionatit) të thërriste me zë të lartë se ky është sezoni që do të qajnë për mirë, nga… gëzimi i trofeut! Edhe ata, me kokën nga sahati i Tiranës, po numërojnë orët e Ardi Memës, duke gënjyer edhe njëherë veten se fajtori nuk ngjitet më lart se stoli…

* Shënim: Artikull ekskluzivisht për “Panorama Sport”. Ndalohet kopjimi dhe riprodhimi pa lejen e kompanisë.

 



www.minuta90.com