Më mirë në podiumin e dhunës apo të 9-ët në botë me Luiza Gegën?

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Tetor 2, 2019 | 20:18

Më mirë në podiumin e dhunës apo të 9-ët në botë me Luiza Gegën?

GËZIM SINEMATI

Sinemati

Kemi një lajm të mirë dhe një lajm të keq. Për natyrën tonë, lajmi i keq është më i bujshëm, më spektakolar sesa lajmi i mirë. Madje, lajmi i keq që na duket edhe si lajm i mirë, është se ndeshja derbi ose dhuna e derbit i ka kapërcyer kufijtë. Fotot me koka që pikojnë gjak tifozësh dhe që “vrasin” në emër të futbollit kanë bërë xhiron e… botës.

Lajmi i mirë është se Luiza Gega, atletja stoike që sfidon edhe kushtet mjerane në tokën ku stërvitet, ka zënë vendin e 9-të në Botërorin e Dohas në Katar. Dhe pyetja është e pashmangshme, madje disi fatale: Më mirë ndër të parët me dhunë apo të 9-ët në një garë vrapimi? Kemi dhënë prova se vuajmë prej kohësh nga sindroma e lavdisë së podiumit.

luiza gega

Na pëlqejnë triumfet, edhe sikur të jenë të falsifikuara, ndaj edhe në këtë rast bëmat e sportit që jeton “Lizën në botën e çudirave” na shkaktojnë më shumë adrenalinë sesa vetë Liza e vetmuar e atletikës… Ky derbi i fundit na paska ngjitur me meritë në podin e dhunës! Sepse tani lajmet nga bota nuk japin kronikën e ndeshjes, as golat që lindën nga 90 minutat, as nuk duan t’ia dinë se fituesi dhe humbësi kanë 5 vite që nuk ndryshojnë stil, madje u duket pa rëndësi edhe ajo banderola me njerëz të varur, pasi e gjithë intriga është te beteja për të gjakosur kokat.

Një luftë, akoma pa të vdekur, gjoja në emër të armiqësive të futbollit, që zbulon frikshëm agresivitetin që po u trashëgojmë brezave. Po përse ky tërbim? Në emër të një futbolli që na dënon skajshëm në Europë, por më e keqja ndodh brenda shtëpisë, ku dënimi është edhe më i madh, sepse rreziku për jetën shitet si ngjarje e domosdoshme për vazhdimin e serialit të derbit…

* Shënim: Artikull ekskluzivisht për “Panorama Sport”. Ndalohet kopjimi dhe riprodhimi pa lejen e kompanisë.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"