Magji në Tokën e Shenjtë! Kombëtarja “fiton” edhe pas një… humbjeje!

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Tetor 21, 2018 | 22:55

Magji në Tokën e Shenjtë! Kombëtarja “fiton” edhe pas një… humbjeje!

GËZIM SINEMATI

sinematiii

Ata që janë në fronin e qeverisë së futbollit kanë qeshur me stil tallës me vesin e dikurshëm të paraardhësve të tyre, të cilët arritën gjestin rekord… të japin premio edhe për “humbje dinjitoze”. Pa e ditur se edhe në kohën e tyre “moda qesharake” mund të kthehej përsëri. Dhe kjo për shkak të një humbjeje krejt ndryshe, nga ato ku trazohet për bukuri mjalti me helmin. Kemi humbur pastër me 2 gola, ku do të ishte idiotësi të dyshohej për meritën e mbrojtjes sonë, prapëseprapë, ndihemi të vjedhur! Dhe ku?

izrael shqiperi

Në tokën e premtuar. Ka shumë arsye përse kjo humbje rrezaton një lloj magjie, madje edhe na duket si…bereqet, ngaqë Kombëtarja, pas 11 apo 12 ndeshjeve me Panuçin, gjeti fillin logjik të humbur frikshëm. Tani mund të thuhet me mburrje “memecit” i erdhi goja në lojën sulmuese. Nuk e besuam trajnerin Panuçi kur pati thënë në prag të ndeshjes se kishte jetuar javën më të lumtur me futbollistët kuqezi, ata që, befas, ishin betuar sikur do të bënin diçka të shenjtë në tokën e shenjtë…

Po si ka mundësi, kur një humbje kaq e pastër, dygolëshe në rezultat, me një Izrael që kishte më shumë pushtet konkret me topin, të shkaktojë kaq mbresa! Aq sa të na futet në kokë edhe ideja se këto lloj disfatash janë… fitore për të nesërmen. Siç duket, të lodhur me humbjet që ngjallin trishtim, të mos flasim këtë herë për ato që provokojnë edhe dyshime, kjo e fundit, do të kujtohet se në futboll je i fituar edhe kur humbet… pa ulur kokën. Kaq ngushëlluese kjo e fundit, sa bekojmë me nxitim, tipike në lëmin tonë, zbulimin e Uzunit dhe Vrionit.

Madje, aq sa “falet” edhe gjumi i madh i mbrojtjes sonë te goli i parë, një gol i denjë për në pavijonin e… bamirësisë. Një gafë e spikatur për të cilin, sipas zakonit të vjetër, fajësia mbetet anonime edhe kur dëgjon trajnerin Panuçi që mjaftohet me qortimin pupël “na gjetën në gjumë” apo autoritarin Hysaj, i cili kur flet nuk tregon talentin e fushës, kur gati thotë se goli ishte një budallallëk me brirë, një gjë pa lidhje, vetëm se fajtorët duhet t’i gjejmë vetë se ata nuk na ndihmojnë dot…

Ky artikull është ekskluzivisht për Panorama Sport. Riprodhimi i tij nga media të tjera në mënyrë të pjesshme ose të plotë pa lejen e kompanisë do të ndiqet në rrugë ligjore.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"