Letra e Dukës për pastrimin e futbollit si vetëtimë në qiell të pastër!

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Maj 17, 2018 | 21:44

Letra e Dukës për pastrimin e futbollit si vetëtimë në qiell të pastër!

GËZIM SINEMATI

sinemati

Nëse letra e presiden tit Duka në adresë të kryeprokurores Marku është vlerësuar si akt i vonuar ndërgjegjësimi apo si një finte për alibi, ftesa që i bën zonjës së ligjit për të pastruar futbollin duket si një vetëtimë në qiell të pastër. Ç’i shkrepi në kokë shefit ky zell për të marrë penën apo na duhet një alibi për eprorët që po na ndjekin me lupë në dorë lart nga UEFA. Sido që të jetë puna, nëse beson ndopak te legjenda qysh në  lindje të lojës me top, futbolli shtrëngohet për të bërë letra kur ajo që pasqyrohet nga fusha frymëzon më shumë mosbesim sesa besim.

Duka

Po të jetë kështu, letra që ka bërë presidenti pas 16 vitesh pushtet të harbuar, tejet hermetik edhe ndaj shtetit të vet, edhe pse e sforcuar, duket si fillimi i dorëzimit. Një ftesë për të pastruar oborrin e ndotur thellë të futbollit, ku më e bukura është se ata që janë kujdesur që të kemi sa më shumë plehra të llojit sportiv, si dhuna, trukimet apo tolerimet, po tregohen të penduar me letra dhe jo me vepra…

Thonë se kur futbolli merr penën dhe shkruan letra, kjo është si një lojë që të duket sikur mbizotërohet nga çiltërsia, aq sa disa besojnë se nuk ka më sekrete për të ndarë midis njerëzve të dhomave dhe atyre të shkallëve të stadiumit. Për të krijuar një iluzion të tillë ka kontribuar edhe trajneri De Biazi, i cili gjatë predikimit për “revolucionin kuqezi” ka lejuar me zell publikimin e letërkëmbimit me futbollistët.

duka-dhe-infantino

Aty përmendej deri heroi kombëtar Skënderbeu, pa harruar edhe frazën delirante se shqiptarët kur dalin në fushë, ngjajnë më shumë si shqiponja sesa si njerëz. Lutemi të mos jetë e vërtetë, të jetë trill i mendjes sonë të dozuar me dyshime, por thuhet se një letër e tillë “droguese” është lexuar para ndeshjes me Serbinë. Ky mund të jetë rasti “atipik” kur letra ndihmon më shumë kundërshtarin sesa vetë… shqiptarin.

Ky artikull është ekskluzivisht për “Panorama Sport”. Riprodhimi i tij nga media të tjera në mënyrë të pjesshme ose të plotë pa lejen e kompanisë do të ndiqet në rrugë ligjore.

 

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"