Opinion nga Gëzim Sinemati/ Legjendat i bashkoi tërmeti, por i ndan “qameti” për Edi Rejën

Panorama Sport | Gazeta me e madhe sportive ne vend

Postuar: Janar 20, 2020 | 18:44

Kombetarja LAJMI KRYESOR Të fundit

Opinion nga Gëzim Sinemati/ Legjendat i bashkoi tërmeti, por i ndan “qameti” për Edi Rejën

Nga GËZIM SINEMATI

Sinemati

Nuk do të jetë e largët dita kur edhe trajneri Edi Reja të na thotë: “Tradhtinë nuk e solla unë, por e gjeta midis jush”. Dhe hajde gjeje, cili është më i zoti në tradhti, kur ditën që kurdisëm largimin e Panuçit, me ato që i panë sytë Rejës, a s’duhej të parashikonte edhe fatin e tij.

Këto ditë, kur thuhet se shqiptarët e futbollit u bashkuan për shkak të kauzës së madhe për bamirësi, sapo flitet për fatin e një italiani, siç është trajneri i Kombëtares Edi Reja, edhe “legjendat” nuk janë më bashkë. Edvin Murati, ai që me të majtën fliste më shumë dhe më bukur sesa kur shfaqej në ekrane apo në gazeta, ka thënë me gojën plot se federata është nxituar që zgjati kontratën me trajnerin Edi Reja.

Ata që e njohin nga afër Muratin, raportet me zotin e pasinqertë të futbollit tonë, kanë bërë një pyetje të detyrueshme: Ç‘faj ka FSHF-ja e shkretë në vendosjen dhe zhvendosjen e trajnerëve, kur dihet nga të gjithë se cili është “pronari i këtij biznesi”? Një “legjendë” tjetër, mesfushori Ervin Skela, i cili dëshmoi se kur ka topin te këmbët e ul moshën, nuk ia “pason” topin Muratit, sidomos kur flitet për kontratën me trajnerin Reja.

edi reja

Gati sa nuk thotë në intervistë: “Ç’të bëri Edi Reja, të keqen ne e dimë se ku e kemi…”. Sa u gëzuam atë ditë kur erdhi trajneri Reja, “mbreti” i Serisë A me më shumë se 1000 ndeshje në kurriz. Disa puthën dorën e politikës, e cila gjeti kohë (nga koha e saj e çmuar) për të na dhuruar një trajner për së mbari. Sikur ta mësonin një ditë tifozët e Kombëtares… se si lindin dhe vdesin dashuritë për trajnerin kuqezi, do të kuptonin përse në “shkollën” tonë kuqezi mbarojnë me të njëjtin fat, të shenjuar, si “nxënësi” Panuçi ashtu dhe “mësuesi” veteran Edi Reja.

Edhe pse mburremi, deri në mediat italiane, për flirtin me trajnerët e tyre në stolin tonë, skema që po përgatitet është më se shqiptare. Reja do të jetë i fundit, madje do të thuhet se paska qenë kapaku i artë i një dashurie që pati një çmim që nuk thuhet dot publikisht, ku fituan të dy partnerët. Dhe ne, si ata që gjurmojnë çiftet e dashuruara, kemi 20 vite që numërojmë “puthjet”…

* Shënim: Artikull ekskluzivisht për “Panorama Sport”. Ndalohet kopjimi dhe riprodhimi pa lejen e kompanisë.

 




Për t’u bërë pjesë e grupit të "Panorama Sport" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet.
KOMUNITETI PANORAMA SPORT: https://www.facebook.com/groups/sportionline/

www.minuta90.com