Largimi me shumicë i trajnerëve kuqezinj, “orgazma” e fundit e Dukës

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Nëntor 18, 2018 | 22:25

Largimi me shumicë i trajnerëve kuqezinj, “orgazma” e fundit e Dukës

GËZIM SINEMATI

sinemati

Dy ndeshjet e jetës apo dy ndeshjet e radhës për trajnerin Panuçi? Presidenti Duka është një udhëheqës topi me patologji të avancuar, ngaqë ka ndërruar stilin dhe pëlqen më shumë shkarkimet kolektive sesa të merret me trajnerët kokë më kokë. Edhe kur dënon tifozët e klubeve në kampionat, e ka më lehtë të zbrazë stadiumin sesa të gjurmojë fajtorin.

Ndaj, kjo e fundit që pritet, dëbimi kolektiv i trajnerëve, po shitet në tregun e lodhur si… pastrim gjaku. Do shkarkohen të gjithë trajnerët e Kombëtareve – kështu ka paralajmëruar fuqiploti, duke i shtyrë afatin e “jetës” vetëm italianit Panuçi, të cilit i fali edhe dy ndeshjet e radhës, me Skocinë dhe Uellsin. Një situatë që duket sikur i pëlqen edhe trajnerit italian, i cili u kujton shpesh gazetarëve shprehjen e mbijetesës, atë që mban gjallë shpresën: “Mua më heq vetëm presidenti”.

duka panuci de biazi

Sa herë që vjen momenti i shkarkimit të trajnerit të Kombëtares apo të gjithë tufë, siç pritet këtë herë, ky çast përjetohet si moment i orgazmës nga pala zyrtare. Aq i theksuar ky ves në këto 16 vite, sa që kanë treguar me vepra se shkarkimet janë golat e vërtetë të pushtetit dhe jo emërimet. Ndaj, do të ishte i tepërt kurioziteti, sikur të guxonim të futeshim poshtë çarçafit kuqezi, për të zbuluar se ka diçka më shumë se rezultatet, një pabesi apo tradhti, që po dikton ikjen masive të trajnerëve.

Ku kanë gabuar, në lojën “e madhe” me shefin apo në lojën e vogël me publikun? Përse të 3 bashkë, Bushi, Bogdani dhe Mustedanagiç, si të kapur prej dore, do të ndërpresin “revolucionin” kuqezi që predikohej me zell te moshat? Sido që të jetë djallosur puna, ato që kanë ndodhur në fushë, sipas zakonit, janë bekuar nga zoti i tyre, sa që humbjet i kthenim në fitore dhe golat e pësuar s’i numëronim dot, ngaqë mendjen e kishim fiksuar te zbulimi i … talenteve! Dhe në fund, duhet të jetë formula kuqezi e ikjes nga stoli, kur trajnerët që “tradhtuan” shefin më shumë se vetë tifozët, largohen me maskën e buzëqeshur dhe me frazën hit se “nuk e kishim marrë me tapi ekipin kombëtar”.

Ky artikull është ekskluzivisht për Panorama Sport. Riprodhimi i tij nga media të tjera në mënyrë të pjesshme ose të plotë pa lejen e kompanisë do të ndiqet në rrugë ligjore.

 

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"