Kur zemërohet Ilir Gjyla, peshku i vogël e ha të madhin

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Qershor 20, 2020 | 21:34

Kur zemërohet Ilir Gjyla, peshku i vogël e ha të madhin

GËZIM SINEMATI 

Sinemati

Intervista e trajnerit të Lushnjës, Ilir Gjyla, fill pas ndeshjes me Apoloninë, është bërë virale, ka “mbushur” stadiumet, por edhe ka dalë me sukses përtej orbitës së sportit. Përgjigjja e tij ndaj pyetjes së gazetarit e futi në pozicion jashtë loje njeriun që mbante mikrofonin.

“A e pe çfarë ndodhi? Po le të tregoj diçka për humor, sepse ky futboll duhet marrë me humor: Vëllai im e ka shumë qejf peshkun. Një ditë, kur mamaja po qëronte një peshk të madh, që e kishim marrë në Karavasta, brenda tij ishte një peshk i vogël”. Morali është i qartë, por nuk vlen vetëm për botën e futbollit. Sipas Gjylës, zemërimi i të cilit arriti kulmin te penalltia që u shpiksi me porosi për Apoloninë, peshku i madh, Apolonia, është ndihmuar nga “peshkatarët” e FSHF-së për të gëlltitur…

gjyla

peshkun e vogël, Lushnjën. Dhe historia e peshkut të madh me të voglin në bark përsëritet shpesh për Lushnjën e Gjylës, por është një refren shumë i njohur edhe në “katin e sipërm” të godinës me themele të krisura… asaj të Superligës. Këtë javë, në rolin e peshkut të vogël, në filmin serial të Superligës, ishte zgjedhur Bylisi, një personazh i njohur, i paracaktuar në rolin e viktimës. Një viktimë aq klasike, saqë në një dynja të dënuar për trukime nga Europa, Bylisi mbetet i vetmi ekip që është dënuar nga “shteti mëkatar” i futbollit. Por, çfarë ndodhi këtë javë me Bylisin?

Ajo që ndodhi as nuk mund të krahasohet me çdo padrejtësi që u është bërë ballshiotëve ndër vite. Një gol i pastër, plot dritë në aksion dhe harmoni në spostime, u anulua në mënyrën më groteske nga arbitri Xhaja. Të gjithë pyetën me habi: Çfarë pa arbitri, që ne nuk e pamë, por edhe moviolat të tëra së bashku? Në fakt, për hir të vërtetës së hidhur, në futbollin tonë ka dhe sy të tjerë, si syri i “Big Brother”, ai që komandon lojën, që sajon ngjarje edhe nga hiçi.

Siç ndodhi me Lushnjën e Ilir Gjylës, e cila mbeti peng te pika e bardhë e penalltisë, vendi ideal ku merren peng viktimat. Viktima të tilla, që të kujtojnë një batutë filmi: “Na rrahin dhe nuk na lënë të qajmë!” Intervista e Gjylës vlen si “ushqim për peshqit” kur i thotë shkoqur gazetarit: “E di ti, po të themi të vërtetën, na dënojnë!”

* Shënim: Artikull ekskluzivisht për “Panorama Sport”. Ndalohet kopjimi dhe riprodhimi pa lejen e kompanisë.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"