Ku po ju çon mushka e babëzisë, 120 euro për të parë Kombëtaren?!

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Tetor 1, 2017 | 14:56

Ku po ju çon mushka e babëzisë, 120 euro për të parë Kombëtaren?!

GËZIM SINEMATI

 

Sikur ta dinin tifozët e Bajernit të Mynihut se sa kushton bileta më e shtrenjtë dhe më e lirë për të parë Kombëtaren e Shqipërisë, Gezim Sinematiatëherë, me siguri, do të kërkonin falje për gjestin e tyre protestues. Madje do të na e kishin falur me gjithë shpirt pankartën e tyre që bëri bujë.

Ajo që provokoi më shumë mbresa, sesa vetë spektakli i Mbapes, Nejmarit dhe Kavanit në portën e Bajernit, ishte një pankartë sfiduese, ku shkruhej me të mëdha: “Ne nuk jemi Nejmar”. Arsyeja ishte europiane dhe jo shqiptare: kishin prerë biletën më të shtrenjtë për të parë ekipin e zemrës… 75 euro!

Nga doli ky çmim? Të gjithë fajin e ka Nejmar, shpjegojnë francezët, duke kujtuar botën se një mal me para avulluan afro 400 milionë euro, vetëm për dy sulmues, që do shfaqeshin në një stadium, i cili, vetëm tani, e meriton plotësisht emrin “Parku i Princave”. Një ditë, qoftë e largët, vetëm princat do ta shijojnë cirkun e shfrenuar me top…

Tifozet Kuq e Zi, gjate ndeshjes miqesore te futbollit ndermjet ekipeve kombetare, Shqiperi-France, 1-0, e luajtur ne stadiumin Elbasan Arena, ne qytetin e Elbasanit. /r/n/r/nAlbanian fans during the friendly football match between Albania and France at the Elbasan Arena stadium in Elbasan on June 13, 2015.

Kur gjermanët që krenohen për pushtetin në futboll, madje edhe më shumë për ekonominë sfiduese, qahen për çmimin e biletave, çfarë duhet të bëjnë shqiptarët unikalë në varfëri, kur një biletë në tribunë e blejnë 120 euro! Aq sa i vjedh rrogën mujore punëtorit, ndërsa shumicës i gllabëron “vetëm”… gjysmën e saj.

Pale bileta më e lirë, edhe ajo s’ta kursen portofolin, kushton sa tribuna në ndeshjen e Strumicës, 10-15 euro. Gjermanët e Bavarisë, ata që përmbytin me birrë tërë rruzullin në muajin tetor, i dorëzohen logjikës kur protestojnë “Ne nuk jemi Nejmar”, kurse shqiptarët nuk e kanë zakon t’i dorëzohen as logjikës e as portofolit të tejlodhur, edhe pse janë të bindur se futbolli i Kombëtares tyre është mjaft i lirë në fushë dhe tejet i shtrenjtë në biletari.

Aq sa duhet të gëzohesh kur i shikon përtej kufirit dhe jo kur janë në shtëpi. Kujtoni ndeshjen në Palermo, prapë Italia ishte, po depërtoje në stadium pa u ndier i vjedhur. Apo kur kujton se Spanja e madhe, ndërsa luajti me Italinë në fushën e saj, uli çmimet e biletave, vetëm e vetëm që stadiumi të mbushej plot dhe lojtari i 12-të (tifozët) të “luante” përkrah Iniestës.

Ky lojtar ka vite që është “vrarë” në stadiumet tona edhe pse kërkojmë ta mbajmë gjallë me frazën e spikatur të hipokrizisë se “kemi tifozerinë më të bukur në botë”. Apo ajo tjetra që të merr për budalla: “E doni Kombëtaren? Paguani se kjo është familja juaj e vërtetë”.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"