Kjo përralla e Kombëtares s’mbaron kurrë: E kishim mendjen te Franca

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Nëntor 16, 2019 | 20:55

Kjo përralla e Kombëtares s’mbaron kurrë: E kishim mendjen te Franca

GËZIM SINEMATI

Sinemati

Ky paska qenë skenari: Ua shitëm shtrenjtë tifozëve biletën për ndeshjen me Francën, ndërsa me Andorrën e shitëm lirë futbollin e 90 minutave! Ca thonë se ajo që ndodhi në Elbasan është si një lloj hakmarrjeje për braktisjen e Kombëtares, vetëm 3 ditë para ndeshjes me Francën.

Të tjerë, që i njohin me rrënjë huqet dhe veset e Kombëtares, predikojnë se Kombëtarja jonë e komandon vetë fatin e saj, ia do qejfi bëhet e vogël me Andorrën dhe, papritur, do të na bëjë krenarë me Francën. Le të shpresojmë te kjo “magji” 3- ditore, pa të cilën nuk do ta kuptonim edhe më qartë se Kombëtarja jonë hallin më të madh e ka me moralin, prandaj… problemet teknike mund t’i shijojmë si karamele.

Edi Reja

Përse disa nga lojtarët tanë, fill pas ndeshjes, thoshin se kjo që ngjau me Andorrën duhet harruar sa më shpejt. Një frazë që tingëllon e dyshimtë, sa herë që ata kurdisin ndonjë bëmë famëkeqe. Dhe këtë herë, përralla kishte fillim intrigues, nisi me gol qysh në fillim, si për të thënë se nxehmjen për ndeshjen e madhe me Francën po e bënim me Andorrën, me të cilën kemi edhe një hesap të vjetër. Ngaqë, shumë vite më parë, na mundën në tokën e tyre, një tokë që vetëm për futboll nuk ishte, për meritë të tradhtisë së futbollistëve tanë.

Një tradhti historike që koinçidoi me fillimin e karrierës së presidentit Duka. Por, le të mos zhytemi në të kaluarën, sepse edhe e tanishmja ngjason me të kaluarën. Ç’ishte ky barazim pa jetë me Andorrën? Më shumë ishte për meritë të tyre apo për meritën tonë, që… gjoja hutohemi në fushë, sa herë që na dalin këto ekipet që janë edhe më të vogla se ne. Më e bukura, mirë në ndeshje që futbollistët tanë nuk lidheshin dot me njëri-tjetrin, por ç’ishte ajo “tallava” pas ndeshjes, para mikrofonit? Ndërsa njëri tregonte para ekranit se ishim si të përgjumur, dilte një tjetër që besonte se fajin e kishin andorrianët, që po na bënin të luanim keq.

Kurse trajneri Reja i vuri kapakun “kazanit të ndeshjes” kur tha: “U treguam mendjelehtë!” Nuk doli asnjë trim që të thoshte se këto gafat në mbrojtje, sidomos te dy golat që mirëpritëm me bujari shqiptare, na ndodhin sa herë që… nuk e kemi mendjen për të fituar. Si atë ditë me Turqinë, kur futbollistët e Kombëtares “kërkuan leje” në fushë për të tradhtuar trajnerin Panuçi, sepse do të ndërtonim një të ardhme më të besueshme me një babaxhan si Edi Reja…

* Shënim: Artikull ekskluzivisht për “Panorama Sport”. Ndalohet kopjimi dhe riprodhimi pa lejen e kompanisë.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"