Haleluja te Tirana-Teuta: Humbësi shfaqet më i bukur se fituesi

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga bota e sportit

Postuar: Shkurt 4, 2020 | 20:31


Haleluja te Tirana-Teuta: Humbësi shfaqet më i bukur se fituesi

GËZIM SINEMATI

Sinemati

As nuk vihet në dyshim se futbolli ynë ka tjetër gravitet dhe Tirana e këtij sezoni po vërteton se “rruga e mëndafshit”, ajo që të çon drejt titullit, nuk ngjason me atë që kanë ndjekur brezat kampionë te bardheblutë. Shpirti i Tiranës gjeti paqen vetëm pasi largoi një duzinë me trajnerë dhe shpikja e saj me Egbonë në stol… po shfaqet si haleluja e trajnimit.

Por, nuk mjafton kjo, duhen shkelur edhe “ligjësi” të tjera të futbollit për të shkuar edhe më larg dhe më lart në klasifikim. Dëgjoni presidentin Halili, fill pas fitores më të mundimshme të Tiranës ndaj Teutës: “Merkatoja është e mirë, por edhe shumë e rrezikshme.

Konkurrenca, nganjëherë, nuk bën shumë mirë”. Në botë dhe në Europë mbeten pa gjumë deri në minutën e fundit të merkatos për të bërë goditjen e fundit, kurse në anët tona… mezi presin të mbyllet dera e “kinemasë”, madje edhe vetë futbollistët “shtyjnë” derën se kanë frikë kur ajo mbetet hapur… Vetëm po të kujtosh të kaluarën, jo shumë të largët, e kupton pse Tirana është në delir moral dhe shpirtëror për ato që po ngjasin në kampionat.Tirana-Teuta

Mrekullia ka ndodhur, ekipi nuk ndalet në fushë pa zaptuar fitoren dhe kjo e fundit me Teutën ka nevojë të veçohet nga të tjerat. Sikur të kishte një doktor për t’i bërë autopsinë, do të ishte respekt për garën e mbetur të kampionatit. Sepse, ajo që quhet “mrekullia e shtatë”, pra triumfi ndaj Teutës, në fund të fundit, ka zbuluar se Tiranës kur s’i mjaftojnë armët e fitores në fushë, fati shfaqet si aleati më i mirë për ta.

Madje, horoskopi i Superligës është që edhe zotat të mos jenë kundër tyre, si gjithë këto vite. Teuta e mbetur me 10 futbollistë, për shkak të një kartoni të kuq, edhe pas një goli të dhuruar, ka përmbysur me zell një ligjësi të hershme, sipas së cilës thuhej se nuk ka më mister, ndeshja e ka gjetur zotin e saj.

Këtë herë, shifrat u shpërfillën, kjo për meritë të Teutës, që vërtetoi një teori gati të vdekur në anët tona, atë se loja nuk është vetëm çështje numrash, me 11 apo 10 futbollistë, as nuk është e thënë njëherë e përgjithmonë se fituesi qenka më i bukur se humbësi…

* Shënim: Artikull ekskluzivisht për “Panorama Sport”. Ndalohet kopjimi dhe riprodhimi pa lejen e kompanisë.




Për t’u bërë pjesë e grupit të "Panorama Sport" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet.
KOMUNITETI PANORAMA SPORT: https://www.facebook.com/groups/sportionline/

www.minuta90.com