Godina e “teatrit” të Superiores nuk shembet, por vetëm lartësohet

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Qershor 6, 2020 | 21:03

Godina e “teatrit” të Superiores nuk shembet, por vetëm lartësohet

GËZIM SINEMATI

Sinemati

‘O Enea, na lër të luajmë futboll!” Kjo ishte britma e Jashanicës së Skënderbeut gjatë ndeshjes me Partizanin. “O Hamit, pse nuk i shikon njëlloj penalltitë? Sa bukur e pe për Tiranën, po për Bylysin… ku i kishe sytë?” Kjo thirrje nuk u dëgjua në stadiumin e Ballshit, ngaqë futbollistët e Bylisit ishin bërë shumë të urtë, aq të urtë sa qaheshin gjoja nga frika e virusit, më shumë sesa nga “zemërimi i Zeusit”.

Duket se godina e “teatrit” të Superiores, jo vetëm që nuk do të shembet kurrë, por do të lartësohet në këto javët e mbetura. Dhe në skenën teatrale të futbollit, aktorët kryesorë kanë ndryshuar rolet në mënyrë historike: futbollistët e Skënderbeut, ata të cilët në kohën e artë trajtoheshin si engjëj nga arbitrat, tani thonë se janë bërë gjahu i tyre “i verdhë” për nga kartonët!

Kurse Tirana, viktima e preferuar e sistemit tërë këto vite diktati në trafikun e titujve, që njihet si epruveta bardheblu me të cilën arbitrat kanë bërë llojlloj eksperimentesh, është i vetmi ekip që nuk qahet më, madje i bekon zotat që më në fund i kthyen sytë edhe nga ata. Fjalët e Ardi Memës, para se të largohej nga stoli i Tiranës, paskan qenë magjike:

“Ata sipër po lodhen vetëm për ekipet e provincave, as u bëhet vonë për ekipet që kanë bërë historinë…”. Fati i ekipeve kampione mund të jetë i ndryshëm në mbarë Europën, kurse në trevën tonë të futbollit ka ngjashmëri binjake, sidomos kur “ruleti i fatit” të shenjon të nisesh drejt titullit. Një vit më parë, kur nuk ishim as te gjysma e rrugëtimit të garës, shumica vinte dorën në zjarr që kampionatin e përlante Partizani.

Bylis-Tirana

Këtë herë, jo vetëm duart, por edhe këmbët… “digjen” se Tirana e fiton me sy mbyllur titullin. Sado armiqësi e madhe predikohet midis Partizanit dhe Tiranës, sapo në mes tyre futen çunat e sistemit, ata që fjalën e kanë besa-besë kur flitet për pazarin e titullit, fundi i gjërave lexohet qysh në fillim.

Një vit më parë, të kuqtë mbyllën gojën me marifet, madje për hir të fitores së madhe edhe puthën fotografinë e “diktatorit”, këtë sezon është Tirana që hiqet sikur është gati t’i harrojë të gjitha mëkatet e këtyre viteve, meqë përvëlohet nga dëshira e madhe që kur të mbushë 100 vjeç, të jetë ngjitur në altarin e harruar. Pastaj, le të thonë çfarë të duan se cili e përgatiti… tortën.

PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"