Gjermanët e “Der Spiegel”, mos e lidhni presidentin tonë “europian” me trukimet!

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Tetor 24, 2019 | 19:50

Gjermanët e “Der Spiegel”, mos e lidhni presidentin tonë “europian” me trukimet!

 GËZIM SINEMATI

Sinemati

Shumë vite më parë, tamam tamam në kohën e diktaturës, një i dehur, sapo doli nga lokali, nisi këngën që ia donte shpirti: “Amerika, Amerika…” kur befas dikush i shfaqet si fantazmë, duke e provokuar: “Si vazhdon kjo kënga”? I dehuri, i cili bëhet esëll në çast, improvizon tekstin: “Amerika, Amerika, vendi i vuajtjeve dhe i trishtimeve”. Njeriu fantazmë, apo afija siç i quanin në atë kohë, kur dëgjoi vazhdimin e tekstit u befasua: “Bravo, bravo, paske pije të bukur…”.

Spiegel tukimet futbolli shqiptar

Tani kthehemi në kohën tonë, në ditët e sotme, në kohën që thuhet se po lulëzon demokracia e fjalës kudo, pale në lëmshin e futbollit. Një gazetar sportiv, krejt esëll, pa pirë as dhe një gllënjkë alkool, i paska dhënë një intervistë gazetës së njohur gjermane, “Der Spiegel”, ku midis të tjerash u lakuan dy fraza. E para: “Presidenti Duka dhe klika e tij janë shumë të fortë, asnjë politikan nuk merret me të”.

Dhe fraza e dytë: “Njerëzit nuk shkojnë në stadium sepse e dinë që aty bëhet teatër”. Sapo intervista u botua dhe lajmi mori dhenë, gazetarit do t’i kenë bërë magji, mbase do t’i ketë dalë para ndonjë fantazmë, nga ato që nuk të thotë “vazhdoje këngën”, por të urdhëron të kundërtën. Të pendohesh për ato që ke “kënduar”, aq sa frazat e mësipërme edhe pse e shikojnë dritën në prestigjiozen “Der Spiegel”, mbeten pa zotin e tyre, pa atë që ka thënë të vërtetën e shpirtit.

Duka

Të duket çudi, pse djegin kaq shumë këto fraza, kur në gazetat tona janë thënë të vërteta më fshikulluese se këto që janë shkruar te gazeta gjermane, sado me peshë qoftë. Thonë se në FSHF ka një departament special, i cili merret me vaksinimin e medias dhe popullatës së futbollit për të ndryshuar qëndrimin dhe shijen popullore ndaj presidentit tonë despotik. Qyshse ai ka veshur petkun e ri të UEFA-s, e vërteta lidhur me mëkatin e trukimeve do të menaxhohet me marifet, saqë fajtorët do të gjenden poshtë nëpër klube dhe jo sipër nëpër zyra.

Dhe efektet e para të vaksinimit janë të dukshme, pale kur dëgjon dhe zëra se “Der Spiegel” do të provojë humbjen e parë në sallën e gjyqit dhe… me paratë që do të fitojmë duke mundur “shpifësit” gjermanë, do t’i bëjmë edhe më të bukura zyrat luksoze të FSHF-së, në themelet e të cilave ka më shumë të “vërteta” sesa beton…

* Shënim: Artikull ekskluzivisht për “Panorama Sport”. Ndalohet kopjimi dhe riprodhimi pa lejen e kompanisë.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"