Futbolli si politika, moviolën na e bëjnë… amerikanët

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Qershor 13, 2020 | 16:22

Futbolli si politika, moviolën na e bëjnë… amerikanët

GËZIM SINEMATI

Të gjitha rrugët të çojnë në… Amerikë. Sa herë që gabojnë politikanët tanë, madje po të flitet me gjuhën e shkollës, kur ngelin në klasë, rolin e mësuesit që ua shkul veshin e bën Ambasada Amerikane. Sa herë që gabojnë arbitrat e Superiores, aq sa mund të thuhet pa frikë, e bëjnë të zezë baltën te pika e bardhë, shqetësimi më i madh vjen nga Amerika.
gezim sinemati

Edhe më shumë sesa nga vetë Shqipëria. “Mësuesi” në këtë rast është shqiptar, tepër i zoti në zanatin e bilbilit, por që ka fatin e keq se nxënësit e klasës së tij, pra arbitrat e sotëm, sa më shumë t’i qortosh, aq më me ngut po e shndërrojnë pikën e bardhë të penalltisë në pikën e pengmarrjes së lojës.
arsen hoxha
Fjala është për Arsen Hoxhën, ish-arbitrin që kujtohet për klasin profesional, ish-shefin e tyre, i cili ka zotësinë të ndajë shapin nga sheqeri, aty ku trazohen kartat e lojës mes gabimeve njerëzore me ato që media i pagëzon… gabime djallëzore. Dhe Arseni, nëse do të pranonin gjuhën e zyrtarëve të FSHF-së, u shfaqet si “Lupen”, si ai që futet pa leje në bahçen e moviolave tona, duke i vjedhur sheshit patentën e së vërtetës…
unnamed
Edhe në rastin e Partizanit, kur “demave” iu ngulën dy shtiza nga arbitri, duke i mohuar dy penallti flagrante ndaj Kukësit, “moviola” nga Amerika e kapërceu orbitën e gjykimit të ndeshjes, duke zbuluar se gabimet e arbitrave janë përqendruar në një gjatësi vale prej… 11 metrash.

E ka hak ta quajnë tradhtar Hoxhën, kur s’ka “prift” në FSHF që të mos taposë veshët para kësaj deklarate: “Ndoshta ky mund të jetë sezoni kur arbitrat e futbollit, kryesisht ata të Kategorisë Superiore, janë treguar tepër kontradiktorë në mënyrën e vlerësimit të shkeljeve të ndryshme. Në përgjithësi japin vlerësime të drejta jashtë zonës së penalltisë, por thellësisht të gabuara brenda saj?!” |

Dhe, nëse për këtë temë do të guxonin të flisnin hapur kampionët në fuqi, Partizani, më pas dhe Tirana si kampione e ardhshme, do të kuptonim se zaret e fatit janë të stisura. Një vit më parë qante Tirana për arbitrat, kurse Partizani as dëgjonte fare, madje mbyllte veshët dhe vazhdonte dasmën. Këtë sezon, ka ndodhur mrekullia për Tiranën, i japin penallti edhe nga ato që nuk i do, ndërsa Partizanit ia vjedhin sy për sy, madje dy e nga dy dhe i thonë: “Mos u bëj mosmirënjohës!”

* Shënim: Artikull ekskluzivisht për “Panorama Sport”. Ndalohet kopjimi dhe riprodhimi pa lejen e kompanisë.

 

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"