Futbolli me drita të fikura! Pse “Rama ik” dhe… “Duka mos ik”

Panorama Sport | Gazeta me e madhe sportive ne vend

Postuar: Nëntor 26, 2019 | 19:23

FB Opinion Të fundit

Futbolli me drita të fikura! Pse “Rama ik” dhe… “Duka mos ik”

GËZIM SINEMATI

Sinemati

Shyqyr zotit që errësira pllakosi në një ndeshje Superlige, imagjinoni sikur të kishte ndodhur në një ndeshje të Kombëtares! Si për shembull, tek ajo ndeshja me Turqinë, ku futbollistët tanë hoqën “siguresën” e lojës dhe në fund të ndeshjes dritat iu fikën vetëm trajnerit Panuçi.

Çfarë ju kujton kjo pamje e tifozëve në errësirë, përgjatë ndeshjes Vllaznia-Teuta, ku me dritën e celularit mundohen t’i japin pak dritë… lojës sonë që iu fik edhe qiriri i fundit! Kohë më parë, edhe derbi Tirana-Partizani, ndeshja për të cilën thuhet se hedh dritë mbi gjithë ndeshjet e tjera, u verbua m’u në mes të kryeqytetit, duke vërtetuar se futbolli që luajmë natën është një aventurë që përsëritet.

Fikja e Dritave ne Loro Borici te Shkodres

Loja me dritat, në stadiumet tona të futbollit, ka arritur kulmin kur luanin në “Qemal Stafa”, ku “galaktikët” e Realit, plot me yje që shkëlqenin, me në krye Ronaldon, u ndeshën kundër një ekipi që lindi “brenda natës”… Gramozit të Ersekës. Ronaldo me shokë, armata që kanë vendosur shumë rekorde në mbarë botën, atë natë kanë vendosur një rekord unikal, i cili mund të mbetet i përjetshëm, për ne dhe për ata.

Kanë pritur gati 1 orë, derisa errësira e stadiumit t’ua linte vendin dritave, duke iu bindur urdhrit të prerë të presidentit Perez: “Nuk ndërpritet kjo ndeshje, si kampionë që jeni… bëni durim!” Po ne, pse nuk bëjmë durim kur fiken dritat e futbollit? Apo me “drita të fikura” jemi kudo dhe nuk durojmë dot edhe 90 minutat e lojës… Në Shkodër, sapo ka rënë errësira, tifozët kanë thirrur në kor: “Rama ik”! Imagjinoni sa shpejt do t’i sillnin dritat, sikur tifozët ta kishin adresuar rebelimin te “pronari i stadiumit”: “Duka ik”!

* Shënim: Artikull ekskluzivisht për “Panorama Sport”. Ndalohet kopjimi dhe riprodhimi pa lejen e kompanisë.

 




Për t’u bërë pjesë e grupit të "Panorama Sport" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet.
KOMUNITETI PANORAMA SPORT: https://www.facebook.com/groups/sportionline/

www.minuta90.com