“Football Republic” e Redi Jupit shpërfillet nga “monarkia” e Dukës

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Gusht 29, 2018 | 23:10

“Football Republic” e Redi Jupit shpërfillet nga “monarkia” e Dukës

GËZIM SINEMATI

sinematiii

Ka gola që bëhen vetëm për të fituar pikë, por ka edhe gola shndërrues që kthejnë armiqësinë në simpati. Pyetja, kur ka ndodhur, nuk vlen për këtë rast. S’ka nevojë as të vrasim mendjen, sepse mbetet i ngrehur në kujtesë goli me roveshatë i Ronaldos në Torino, kur italianët në stadium dhe në shtëpi, kudo ku ishin, u çuan në këmbë dhe duartrokitën veprën e bekuar të “armikut” të tyre.

football republic redi jupi

Tani, le të bëjmë një “roveshatë shqiptare”, duke kapërcyer nga goli i Ronaldos te “goli i madh” që përjetuam këto ditë. Sapo është inauguruar kompleksi akademik i futbollit “Football Republic”, një kompleks befasues, që në bursën e lodhur të futbollit tonë mund të konvertohet me një gol të madh në favor të brezave. Një lëndinë përrallore me tri fusha të shkallëzuara, ku dritat do të ndizen në fshatin Barbas, si për të treguar se futbolli lind në periferi për t’u ngjitur më pas në kullën e stadiumit të ri… tamam mbi “kockat” e stadiumit të vjetër.

“Football Republic” provuam ta krahasonim me një gol të madh, sepse dikton dhe meriton një ndryshim në kodin e sjelljes, aq sa “armiqtë” e Redi Jupit, ish-shokët e institucionit të futbollit, me në krye shefin, ta përjetonin euro-mjedisin si një bashkëpunim fatlum. Aq sa të çoheshin në këmbë, ndofta edhe pa zemër, për të duartrokitur golin e “Republikës së Futbollit”. Ndofta edhe ky emër tundues, për disa zyrtarë tingëllon provokues, ngaqë në një monarki futbolli nuk mund të ngrihet një republikë e lirë e topit. Qoftë dhe për fëmijët. Pale të shkosh pak më thellë, në ditët delirante të Asamblesë kur predikohej projekt-gënjeshtra e spikatur “Gjithçka për fëmijët”.

Një projekt i guximshëm për nga ligësia dhe babëzia, sidomos në rastin e fushave pranë klubit “Dinamo”, ku u përzunë qindra fëmijë që stërviteshin, për arsyen makute se në vend të tyre do të ngrihen zyrat e Federatës. Zyrat që larguan bythën nga ndëshkimi madhor në Europë. Ato që do të kushtojnë sa dy komplekse “Football Republic”, ndofta edhe më shumë, siç e do zakoni ynë financiar me stadiumet apo veprat, ku thuhet me “sinqeritet” se fitues nuk janë shefat e sotëm, por tifozët e nesërm.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"