Efekti magjik i golit të Ditës: Fituesi u bë humbës, “humbësi” u shpall… fitues!

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Prill 26, 2018 | 20:22

Efekti magjik i golit të Ditës: Fituesi u bë humbës, “humbësi” u shpall… fitues!

GËZIM SINEMATI

sinemati

Si ka mundësi që 4 golat që pësoi Partizani me Kukësin kaluan pa dhimbje, gati sikur të ishte krejt normale ajo goleadë turpërimi, ndërsa humbja minimale me Skënderbeun, as nuk përtypet dot nga “stomaku” i klubit. Ka shumë arsye që kjo humbje të mos shkojë si humbjet e tjera në koshin e harresës. Partizani, sipas stilit të tij të njohur, krijoi shumë volum, shpërfilli disa raste dhe e fjeti mendjen se, edhe sikur të kishte një barazim në fund, do të shpallej fitues moral.

Po Skënderbeu? Habiti shumë me sjelljen e tij inferiore, dukej sikur nuk i interesonte fare porta kundërshtare, aq sa kur Lila goditi për herë të parë portën në minutën e 59-të, shëmbëlleu si një gjest tradhtie mes asaj përgjumjeje kolektive. Por, s’paska qenë gjë fare ky episod, sapo kujton golin ekstrem, tejet paralizues të Bruno Ditës, goli që pataksi të dyja palët. Po, po të dyja palët, sepse i dha atë që nuk meritonin…

skenderbeuu

Një gol i paftuar nga logjika, por me efekt magjik, ku palët këmbyen vendet tamam mu në çastin e fundit. Humbësi u shndërrua në fitues dhe fituesi në një humbës pa takt. Si ka mundësi të ndodhë kjo hata, tamam me Skënderbeun, me ekipin që kishin overdozë arsyesh për ta fituar ndeshjen, për të provuar shijen e golit të parë sezonal, për t’i bërë pak kozmetikë morale humbjes budallaqe në Kukës, etj, etj.

Të pamësuar ose më mirë të mësuar keq për të lexuar humbjet, kritika nuk mbërrin në portën e Hoxhës, të cilit i kaloi pranë duarve topi i goditur nga Dita, por zbarkon për alibi tek adresa e njohur e shkarkimit të fajit, tek arbitri Andi Koçi. Sikur të mos flisnim për arbitrin, të paktën këtë ndeshje të flisnim më shumë për një lojë të shpërdoruar nga vetë futbollistët, kjo duket se nuk është në stilin tonë, në zanatin tonë…

Ky artikull është ekskluzivisht për “Panorama Sport”. Riprodhimi i tij nga media të tjera në mënyrë të pjesshme ose të plotë pa lejen e kompanisë do të ndiqet në rrugë ligjore.

 

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"