Edhe “Sport-Radari” është mrekulluar: FSHF… trukohet si prokuror

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga bota e sportit

Postuar: Korrik 6, 2020 | 16:36


Edhe “Sport-Radari” është mrekulluar: FSHF… trukohet si prokuror

GËZIM SINEMATI

Sinemati

Ka ndryshuar rrën jësisht skema e lojës kur flitet për trukimet e ndeshjeve. Vite më parë, kur kompania “Sport-Radar” na spiunonte në UEFA për trafikun e çuditshëm të parave që frymëzonin ndeshjet e shqiptarëve, FSHF i mbronte “fëmijët e saj”, edhe pse dukej sheshit që luanin bixhoz me topin.

Por, ç‘hata ndodhi që fill pas turpit që ndodhi në ndeshjen BylisTirana, ishte tamam “prindi”, pra FSHF-ja, që doli publikisht duke tradhtuar edhe “parimet” e saj lidhur me qëndrimin për ndeshjet e tredhura. Shumë vetë nuk u kanë besuar veshëve kur kanë dëgjuar kërcënimin zyrtar: Kanë nisur hetimet për ndeshjen Bylis-Tirana.

Të lë pa fjalë dhe gati të çmend shpejtësia e shndërrimit të sjelljes së ekipit zyrtar. Por, në dynja futbolli, ku rregullat më shumë i caktonim sipas qejfit, pse u dashka të heqim dorë nga zakoni i vjetër? Ka shumë arsye, por njëra është mbi të tjerat: Presidenti Duka nuk është vetëm yni, por edhe i UEFA-s. Madje, ka nga ata që besojnë se shefi, sidomos kur flitet për trukimet, është më shumë i UEFA-s sesa… dora jonë. Dhe po të jetë e vërtetë, të duket si një tradhti luksi kur mendon se bëmë kurban Skënderbeun në Europë, për të ngjitur shefin në altarin e shumëlakmuar…

TIRANA

Sa herë që flitet për trukime, na duket sikur ka ndodhur më e keqja nga të gjitha… sepse në mes është futur paraja. Dhe kur ka tradhti te paratë, as nuk na bie ndërmend për ato ndeshjet që luhen teatër, ndaj kalojnë si pupël dhe harrohen si me buton. Një javë më parë, kur Skënderbeu me Tiranën futbollin e “shndërruan” në një biçim keçi, ku fituesi dhe humbësi ndryshuan rolet në mënyrë aktoreske, na u duk si një ushqim i shëndetshëm, ngaqë edhe “Sport-Radarit”… nuk iu prekën interesat.

Siç duken bathët, paska qenë provë gjenerale për shfaqjen që do të vinte. Dhe, në teatrin e Superligës, të cilit i shtohen katet sa herë që flitet se do ta prishin, na ofrojnë rolin e klakerit që të duartrokasim sa herë që na duhet një ekip për ta bërë kurban. Sepse, ky sistem mbahet gjallë duke vdekur të tjerët…

* Shënim: Artikull ekskluzivisht për “Panorama Sport”. Ndalohet kopjimi dhe riprodhimi pa lejen e kompanisë.

 




Për t’u bërë pjesë e grupit të "Panorama Sport" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet.
KOMUNITETI PANORAMA SPORT: https://www.facebook.com/groups/sportionline/

www.minuta90.com