Edhe “Skënderbeu” nuk paska motër…

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Shkurt 18, 2020 | 22:08

Edhe “Skënderbeu” nuk paska motër…

GËZIM SINEMATI

Vite më parë, në një ndeshje që u shpall e pazakontë për hir të një deklarate, tifozët u bashkuan në një kor banal, duke sharë arbitrin nga… motra! Por, ajo që ndodhi më pas, në një deklaratë të policisë, sikur i “bekoi” sharjet një herë e përgjithmonë. U quajt “goli i vitit” kjo frazë mbi letër: “Arbitri s’ka motër!”

Skenderbeu

Qysh atë ditë, kjo skenë na përsëritet shpesh, është bërë modë në Superiore, madje mund të shahen të gjithë motrat e futbollit, me përjashtim të njërës, “motrës së FSHF-së”. Madje, edhe në stadiumin “Arena”, ku kumbimi i zërit thekson edhe më shumë sharjet, kjo blasfemi sportive për nga zhurma që krijon… mund të matet me “ballë” e jo me decibelë. Rasti më i fundit ishte në ndeshjen Tirana-Skënderbeu, sidomos në momentet kur korçarët ishin bërë zotë të fushës, kur kishin marrë në dorë frenat e lojës dhe po argëtoheshin me topin si në kohën e tyre të artë, dëgjohet “himni fatal” i korit të tifozëve vendës, që zemëratën e tyre e shkarkonin te motra e kundërshtarit, i cili bëhet shumë i hidhur kur shfaqet para bardhebluve dhe shumë ndryshe për disa të tjerë.

Skenderbeu vs Tirana

Siç duket, ky Skënderbe, që ngjason me një kameleon për nga ngjyrat që merr në varësi të kundërshtarit, nuk honepset edhe kur luan bukur, edhe kur “harron” që është i dënuar gjatë në Europë! Në lojën tonë, ku kulti i rezultatit është bërë si një bust që e lartësojmë nga java në javë, kjo ndeshja Tirana-Skënderbeu, përveç autogolit me “motrën” e Skënderbeut, do të kujtohet edhe për një arsye më pikante.

Vite më parë, në kohën kur korçarët sundonin fushën, por edhe mbroheshin nga “zotat”, ishte Tirana që vuante nga sindroma e të përndjekurit. Sa herë që vibronte bilbili i arbitrit në momente decizive, dihej me siguri se bardheblutë do të ishin të penalizuar. Por, ç’hata ka ndodhur këtë sezon, ku të gjithë qahen dhe mbajnë pranë kokës peshqirin e lagur, ndërsa bardheblutë kanë vetëm një hall luksi: të fitojnë titullin kampion, për të nderuar 100-vjetorin e lindjes!

TIRANA

Dhe sipas zakonit shqiptar, të atij zakoni që na e kanë mësuar përmendësh çunat e sistemit, le të besojmë se Tiranën nuk po e sulmojnë (madje po e përkëdhelin) vetëm për hir të ditëlindjes dhe jo për arsye të tjera, më madhore, më fitimprurëse, sesa një tortë titulli…

GËZIM SINEMATI

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"