Edhe përtej detit… në Itali, presidentit s’i bëjnë pyetje me spec!

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga bota e sportit

Postuar: Janar 23, 2020 | 10:13


Edhe përtej detit… në Itali, presidentit s’i bëjnë pyetje me spec!

GËZIM SINEMATI 

Sinemati

Presidenti Duka po bëhet si i shtëpisë edhe në median italiane, duke dhënë intervistën e radhës, ku thuhet se paska hapur zemrën, por nuk dihet se cilën nga zemrat. Ka nga ata që thonë se kur flet në Itali është më i sinqertë se në Shqipëri, madje është në paqe me veten e tij.

Ndofta mund të jetë edhe kështu, ngaqë intervistat që organizon në truallin tonë janë si ndeshjet e mbaruara qysh para se të fillojnë, ngaqë pyetjet dhe përgjigjet kopsiten nga dora vetë. Prandaj, duket si një lajm i mirë në një botë plot finte, kur media dhe presidenti luajnë në pozicionet klasike: njëri pyetjet dhe tjetri përgjigjet…

Edhe pse gazetarët italianë mbahen si “nona” e pyetjeve, presidenti ynë pati luksin të tregojë dashurinë në rritje për trajnerët italianë, pa treguar (mëkatin e shenjtë) frikën e madhe që t’ia besojë ekipin kombëtar një trajneri shqiptar. Predikohet se ata janë më profesionalë se tanët, por nuk pranohet publikisht se janë edhe më të zotë për të qepur gojën, sidomos kur në lojën tonë futet “djalli”, siç ndodhi me Andorrën.

Duka Procesi Sportiv

Apo kur hoqëm qafe Panuçin. Te kjo e fundit ndodhi “mrekullia”: të dyja palët luanin që të fitonte Turqia! Kjo intervista e fundit e presidentit pati brenda një lajm të mirë dhe një të keq. Po e fillojmë nga lajmi i keq: e paska hidhëruar shumë Panuçi sepse paska harruar kusurin e premiove në xhepin e shefit. I vetmi nga italianët, që kërkon të zhytet thellë te portofoli kuqezi. Kurse lajmi “i mirë” është se vetë presidenti zbulon se do të jetë Hysaj kapiten dhe merret me mend se ç’fat e pret Mavrajn. Përsëritet filmi si me Ansi Agollin.

Pyetja që nuk bëri gazetari italian: “Si ka mundësi që lajmin e kapitenit e jep presidenti më parë se vetë trajneri Reja”? Ku ta mësojnë italianët e medias se bashkatdhetarët e tyre kur janë në stolin e Kombëtares kanë një përshtatje aq tjetërsuese… sa nga Italia s’u mbetet gjë tjetër veç pasaporta. Ndaj thuhet me të madhe se De Biazi ishte aktori më i mirë nga italianët, kurse Dosena “aktori më i keq”, për të cilin presidenti tha përciptas, gjatë intervistës, se iku shumë shpejt, aq shpejt dhe aq frikshëm ia mbathi, sa edhe kur ia përmendin emrin, duket sikur tundet edhe dosja e tij…

* Shënim: Artikull ekskluzivisht për “Panorama Sport”. Ndalohet kopjimi dhe riprodhimi pa lejen e kompanisë.




Për t’u bërë pjesë e grupit të "Panorama Sport" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet.
KOMUNITETI PANORAMA SPORT: https://www.facebook.com/groups/sportionline/

www.minuta90.com