“E vranë apo vrau veten” arbitri Jemini? Thikën ia futi vetë “mbreti” Duka

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Tetor 27, 2017 | 23:06

“E vranë apo vrau veten” arbitri Jemini? Thikën ia futi vetë “mbreti” Duka

Nga GËZIM SINEMATI

Gezim Sinemati

Paskemi qenë mirë kur arbitrat i duronim vetëm për ato që bënin në fushë dhe nuk dëgjonim përralla në mikrofon apo në gazeta, sepse u kishin prerë gjuhën. Mbahet mend rasti unik dhe s’do të harrohet, kur Enea Jorgji në një ndeshje fatlume, fitoi telebingon pas një beteje lesheli, duke eksperimentuar dhe automoviolën pas gafave rrezatuese. Ditët e fundit, fati i përmbysur kokëposhtë i arbitrit Jemini, në lidhje me pronarin e arbitrave, presidentin Duka, ka provokuar një intervistë maratonë të viktimës më të freskët. Jemini ka folur gjatë, i ka vënë në gjumë gjithë ata që shpresonin të mësonin se si kurdisen para ndeshjeve kukullat e zeza apo ndryshe “barbit me bilbil”.

Gjyqtaret

Më i miri në fushë kur gjykonte me kompetencë dhe me poza autoritare, sapo është flakur nga “prindërit zyrtarë”, shëmbëllen me një të penduar që do të flasë gjatë, pa u rënë shkurt gjërave, duke qerasur me karamele edhe dhunuesit e tij, presidentët. Momenti më pikant, a e dini kur mbërrin? Kur Lorenc Jemini pyetet nëse ka marrë ndonjë shpjegim nga presidenti Duka për këtë përjashtim spektakolar për nga stili, apo e ka takuar personalisht “mbretin”.

Ata që besojnë te filmat që luhen me top e me bilbil, kanë mbyllur sytë dhe kanë hapur zemrën kur Jemini ka dhënë përgjigjen e thatë: “I shkrova mesazh dhe as më ktheu përgjigje”. Besoni apo s’besoni, “mbreti” dhe Jemini janë takuar kokë më kokë, ndryshe nga herët e tjera, kur duhej paracaktuar fati i ndeshjes. Këtë herë, takimi ishte krejt ndryshe, siç ndahen dy të dashur që kanë përdorur njëri-tjetrin. Në ditët me diell, kur të dy ishin më të mirët, njëri në tribunë dhe tjetri mbi bar, kuptoheshin me sy, sa fjalët ishin të tepërta, për atë që do të ndodhte në fushë. E dini çfarë i ka thënë Duka arbitrit tradhtar, që kishte “vrarë” pa lejen e tij? Le të thotë Jemini se nuk janë takuar, por dialogu ka hyrë me meritë në muzeun e mëkateve: “Pse mërzitesh, o Lenco? Kështu e ka kjo punë o robo. Ti ishe më i miri, derisa i luaje ato me kokën tënde…”.

Të gjithë arbitrat e lënë kokën në shtëpi kur nisen për ndeshje, sepse marrin një tjetër në laboratorin e FSHF-së, por Jemini ishte i lodhur duke marrë kokën borxh, sepse as nuk ngjasonte me ushtarët e tjerë. Ndaj ai vuri prapë kokën e tij këto vitet e fundit. Një kokë që dinte aq shumë dhe kishte fituar aq pushtet, sa ishte gjynah që të mos dilje pak nga reshti…

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"