Doni të zbuloni kampionët e Superligës? Vini bast… ekipi i arbitrave!

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Janar 26, 2020 | 18:10

Doni të zbuloni kampionët e Superligës? Vini bast… ekipi i arbitrave!

GËZIM SINEMATI

Sinemati

Me gjuhën e basteve, për të cilën po luajmë pjesën sikur është një gjuhë e vdekur në lojën tonë, java e parë e 2020-ës në Superligë mund të pagëzohet si një dysh i madh dhe i pabesë. Një blof… nga ata që të lënë jo vetëm me gojë hapur, por edhe me këmbë hapur.

Ndërsa pritej të ndizej gara e rivalëve Kukësi, Partizani, Bylis apo Tirana, ka shpërthyer ekipi i arbitrave, gati si me një skemë kolektive të pjekur mirë nga… trajneri! Paskan qenë të vërteta fjalët e fallxhores se ky vit do të jetë më i pasur me gabime njerëzore, prej të cilave nuk do të qahemi dot, se janë gabime që shkaktohen në emër të “kauzës” për… bamirësi. Të gjithë u qanë këtë javë, edhe fituesit, edhe humbësit.

Midis fituesve spikati Skënderbeu, i cili pasi gjunjëzoi Partizanin me 3 gola, i dha një shuplakë edhe arbitrit që, sipas tyre, kishte “veshur” uniformën e kuqe gjatë ndeshjes. Një metaforë e bukur në kohën e sotme, e cila pickon edhe të kaluarën, në ditët e arta të Skënderbeut, kur thuhej me humor se ca arbitra, edhe me stemë, s’i zinte dot gjumi po të mos vishnin pizhamet bardhëkuqe si uniforma e ekipit…

JORGJI BYLIS

Po nga humbësit, cilat ekipe i kishin lotët më të besueshëm? Nëse do të guxonim të bënin një klasifikim për viktimat e vitrinës së kësaj jave funebre, Luftëtari nuk ka të krahasuar me askënd. Pazotësia e arbitrit debutues u ngjit lart, madje edhe më lart se kalaja e qytetit, sidomos në momentin e anulimit të golit. Një gol që i shtohet duzinës së golave që futen në muzeun e pafajësisë. Një gol, të cilit po t’i japësh shpirt, do të pyesnim:

Lindi i vdekur, apo e vdiq “doktori me të zeza” se aq dinte, apo se kështu i kishin thënë eprorët? Dhe më e bukura, diku golin e mbysin në kohën më të gjallë, si në Gjirokastër, diku tjetër në “Selman Stërmasi”, në ndeshjen Tirana-Bylisi, goli sajohet nga koha e vdekur, shtesë përmbi shtesë.

Dhe në një lojë të trazuar me mjeshtëri nga “çunat e sistemit” , mjerë ai që beson se gabimet njerëzore po shtohen ngaqë një brez i ri arbitrash po ushtrohet në zanat, po mëson si ta ngasë me marifet… bilbilin. Pale kur dëgjon Sokol Jarecin, disenjatorin e tyre, i cili fliste si pa të keq, madje na këshillon që të mbajmë qetësi e të mos bëjmë shumë zhurmë, kur u bënte VAR-in në “ekranin e gazetës” gabimeve trashanike dhe spektakolare të një jave të paskrupullt…

* Shënim: Artikull ekskluzivisht për “Panorama Sport”. Ndalohet kopjimi dhe riprodhimi pa lejen e kompanisë.

 

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"