Do vijnë legjendat më 10 janar, po Pano, Ali Mema e Sabah Bizi si do të quhen?

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Janar 6, 2020 | 20:34

Do vijnë legjendat më 10 janar, po Pano, Ali Mema e Sabah Bizi si do të quhen?

 GËZIM SINEMATI

Sinemati

Nuk themi se janë më të mirët ndër breza, nuk e themi me modesti se do të luajnë veteranët e Kombëtares, sepse është më shqiptare kur reklamohet me pompozitet si ndeshja midis legjendave! Atë ditë, më 10 janar, kur do të bëhet ndeshja midis “legjendave” të Shqipërisë, Greqisë, Turqisë dhe Italisë, nuk do të ketë vend për asnjë futbollist poshtë kategorizimit “legjendë”.

Po si peshohen legjendat në kandarin e futbollit tonë? Apo në një vend të tejmbushur me presidentë, shefa, komandantë apo profesorë e doktorë, si do të shpëtonte futbolli pa prekur qiellin e shtatë të vetëmburrjes. I tillë është ky lloj futbolli, i cili kur luajnë legjendat dhuron çmime simbolike biletash, ndërsa kur luajnë futbollistët e thjeshtë, ata pa grada, mjafton t’i trukosh me fanellën e Kombëtares, çmimi i biletës të ngre qimet përpjetë…

Yjet

Por, nëse me të vërtetë do të pranonim se “legjendat” që do të dalin në fushë janë më se të vërteta dhe këtë për hir të qëllimit të ndeshjes për të mbledhur ndihma për të dëmtuarit e tërmetit, po Panajot Panon, Ali Memën dhe Refik Resmjan si do të mund t’i quanim, sepse po t’i pagëzonim legjenda edhe ata, do të ishte një e pavërtetë e madhe. Me këtë rast, le të kujtojmë fjalët e të madhit Perlat Musta, (nuk po e quajmë legjendë për t’i bërë nder, për ta veçuar nga të tjerët), në një ditë speciale kur disa futbollistë do të merrnin titullin në presidencë:

” E dini sa herë kam ardhur në Presidencë për dekorimet e futbollistëve gjatë kohës së demokracisë? Më duket se më shumë kam qenë këtu, sesa kam luajtur me Partizanin…”. Pra, jemi të gjithë të dekoruar, jemi të gjithë legjenda, punë e madhe se futbolli që luajmë nuk meriton asnjë gradë…

* Shënim: Artikull ekskluzivisht për “Panorama Sport”. Ndalohet kopjimi dhe riprodhimi pa lejen e kompanisë.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"