Derbi s’ka frikë koronavirusin, por Tirona-virusin!

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Mars 2, 2020 | 18:28

Derbi s’ka frikë koronavirusin, por Tirona-virusin!

GËZIM SINEMATI

gezim sinemati

Ky derbi i fundit ishte “mbret” i shifrave, jo vetëm për tifozët e pranishëm, por edhe për bollëkun e golave, edhe për ndarjen prepotente të tyre në favor të Tiranës. Edhe ata që e urrejnë për vdekje Partizanin (urrejtje në limitet sportive) as nuk u shkonte mendja që rezultati do të ishte kaq sarkastik: 5-1 për Tiranën! Një rezultat që i dha kuptimin më të vërtetë parullës flakëruese në stadium: “Tirana është droga ime!”

derbiiii

Për Partizanin, përjetimi i një drame të tillë shokuese, do të kujtohet me shije të dyfishtë: edhe si tragjik, por edhe si… “komik”! Fati u shpall tragjik se në 5 golat që mblodhi porta e tyre, ndikoi shumë një episod, i cili provokoi lindjen e pyetjes shekspiriane: Ishte apo nuk  ishte… kartoni i kuq? Ai karton, i cili preu si me thikë historinë e ndeshjes, një karton që edhe pse thuhet se është i ligjshëm nga rregullorja, duket i paligjshëm po të kujtosh sjelljen me shumë fytyra të arbitrave nëpër ndeshje.

juxhin-xhaja-470x313

Po përse komik? Sepse Partizani, cilado qoftë vepra e arbitrit Xhaja, këtë herë sulmoi edhe portën e tij me autogolin dhe gafat në mbrojtje! Le të mbyllim veshët dhe të mos dëgjojmë atë që thotë Tirana nga tërbimi i ndeshjes, por dhe Partizanin nga zhgënjimi kampion, nga dhunimi në rezultat. Sepse po të vishesh bardheblu dhe të kujtosh picirin që ka hequr Tirana ndër vite, kjo që ndodhi me arbitrin, qoftë edhe i tepruar kartoni i kuq, është si një karamele simbolike.

Po të heqësh uniformën e Tiranës dhe të vishesh me të kuqe, si dem i plagosur, ajo që ndodhi merr ndjesinë e një dyshimi, që nuk është vetëm punë arbitrash. Sepse ata sipër, jo ata në qiell, por pronarët e “kazinosë me top” nëpër zyra, një vit më parë, arbitrave u kishin vënë sytë e snajperit, me të cilët të gjithë vuanin, kurse Partizani kishte gjetur ishullin e lumtur brenda një xhungle! Nuk duhet të çuditemi, as të zemërohemi, që më në fund i erdhi radha Tiranës…

* Shënim: Artikull ekskluzivisht për “Panorama Sport”. Ndalohet kopjimi dhe riprodhimi pa lejen e kompanisë.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"