Ç’ishte ky spektakël i Kukësit! Tri perla për Tiranën “jubilare”

Panorama Sport | Gazeta me e madhe sportive ne vend

Postuar: Dhjetor 9, 2019 | 23:12

Opinion Të fundit

Ç’ishte ky spektakël i Kukësit! Tri perla për Tiranën “jubilare”

GËZIM SINEMATI

Sinemati

Ka disa ndeshje futbolli, për të cilat thuhet se ngjasojnë me ndeshjet e keçit, ku skuadrat në fushë, tamam si mundësit e keçit në ring, një herë “fiton” njëra dhe tjetra kalon në pasivitet, e pastaj… ndërrohen rolet përsëri.

Ajo që ndodhi në ndeshjen Tirana me Kukësin nuk kishte një ligjësi të tillë, pasi Tirana dominoi në minutat e prologut, shënoi edhe golin e ëndërruar, pa e ditur se pas festës për avantazhin do të ndryshonin rolet kryekëput. Çuditërisht, Tirana u shfaq me një fytyrë të zbehtë, disi e trembur në lojë, duke u strukur në portën e saj dhe Kukësi pati privilegjin e madh, për meritë dyfishe, të vetën dhe të kundërshtarit, të frymëzonte një nga ndeshjet më argëtuese.

kukesii

Kanë ndodhur shumë përmbysje në Superligë, nga ato që mbajnë erë dhe nga ato që nuk mbajnë erë, por kjo e Kukësit në kurriz të Tiranës do të kujtohet si një përmbysje, ku 3 golat dhe loja pushtuese krijuan një amalgamë që s’ishte shijuar prej kohësh… Ka shumë pyetje pas kësaj ndeshjeje, e cila e thelloi më ndjeshëm zhgënjimin e tifozëve të Tiranës, kurse në anën tjetër, ka ndezur oreksin e tifozëve të Kukësit se ekipi i tyre, kur i shkrepet në kokë, luan më shëndetshëm se rivalët për titull.

Thonë, dhe besohet më shumë këtë herë, që 3 golat e kuksianëve ishin të denjë për muze nga mënyra e ekzekutimit. Penalltia e Shkurtajt mund të shijohet si një gjest teknik, por edhe rebelues, ku guximi e kapërcen arsyen, ndërsa shikon topin që shkon në portë sipas trajektores së famshme “alla Panienka”. Po goli i Gavazajt? Një prelud me të majtën, si për të mbyllur gojët e liga të atyre që predikonin se talenti i tij ka filluar të vyshket.

Kurse goditja kristalore nga encja e Abazajt… vulosi cilësinë e spektaklit të tyre në ndeshjen me Tiranën. Ishte një fitore pikante për Kukësin dhe humbje e hidhur për bardheblutë, nga e cila edhe mund të “fitosh”. Ishalla e kanë kuptuar leksionin e radhës, që ishte si shuplakë për thirrjet e saj, gati të pamoralshme, se do të shpallet kampione, jo se ka 100 probleme, por se ka 100-vjetorin e krijimit të klubit!

* Shënim: Artikull ekskluzivisht për “Panorama Sport”. Ndalohet kopjimi dhe riprodhimi pa lejen e kompanisë.




Për t’u bërë pjesë e grupit të "Panorama Sport" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet.
KOMUNITETI PANORAMA SPORT: https://www.facebook.com/groups/sportionline/

www.minuta90.com